Avokati Skënder Musa: Edi Rama po bën punë të shkëlqyeshme në favor të vërtetimit të pafajësisë së krerëve të UÇK-së

25 maj 2023 | 10:48

Avokati i akredituar i Gjykatës Speciale, Skënder Musa, ka vlerësuar se Gjykata Speciale është duke e tepruar me mbajtjen e seancave të mbyllura në procesin gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së.

Musa në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se nëse vazhdohet me seanca të tilla, Specialja rrezikon ta shkelë parimin e publicitetit.

Ndërsa sa i përket kohëzgjatjes së këtij procesi gjyqësor, avokati Musa ka thënë se nuk do të zgjasë aq sa ka planifikuar ZPS-ja.

Duke iu referuar provave të ZPS-së, Musa ka vlerësuar se në fund të këtij procesi liderët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm.

Krahas kësaj, ai e ka kritikuar heshtjen e institucioneve të Kosovës karshi Speciales dhe ka lavdëruar angazhimin e shtetit shqiptar dhe kryeministrin Edi Rama për mbrojtje të UÇK-së.

“Heshtja e institucioneve të Kosovës është e pakuptimtë për shkak se ky proces gjyqësor është tepër i rëndësishëm për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës pasi i akuzuar është njeriu që e ka udhëhequr Shtabin e Përgjithshëm dhe njeriu që e ka shpallur pavarësinë e Kosovës. Thjesht, janë në pyetje aktorët kryesorë të luftës, të cilët janë të akuzuar dhe është totalisht e paarsyeshme heshtja e institucioneve të Kosovës karshi këtij procesi të padrejtë gjyqësor që është duke u zhvilluar kundër luftëtarëve të UÇK-së”.

“Kryeministri Edi Rama është duke bërë një punë të shkëlqyeshme në favor të vërtetimit të pafajësisë së krerëve të UÇK-së. Ai është duke luftuar me mjete politike që të dalë e vërteta në shesh. Në fakt, krerëve të UÇK-së nuk ka nevojë t’u ndihmojë askush. Ata kanë nevojë që vetëm Gjykata Speciale të jetë e drejtë dhe këtë janë duke e bërë shumë mirë Edi Rama, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca e Shqipërisë”, ka thënë Musa.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot rreth orës 05:50 ka ndodhur një vetëaksident në aksin…