Avokatja nxjerr raportin e DASh-it: Thaçi dënoi sulmin ndaj serbëve në Grackë, s’ka asnjë provë që udhëheqja e UÇK-së të ketë dirigjuar dhunën

19 gusht 2024 | 14:40

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 76-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Steven Russell, i cili është i pranishëm së bashku me tre përfaqësues të qeverisë amerikane në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjatë seancës avokatja e Thaçit ka publikuar një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), ku ka theksuar qartë që Hashim Thaçi ka dënuar sulmet ndaj civilëve serbë si dhe ka dënuar sulmin ndaj serbëve në Grackë të Lipjanit.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, udhëheqja e UÇK-së nuk e kishte dirigjuar dhunën në Grackë.

“Një deklaratë e 20 korrikut dënonte sulmet ndaj serbëve dhe romëve dhe kjo deklaratë doli nga udhëheqja e ish-UÇK-së, konkretisht nga ish-udhëheqësi Hashim Thaçi. Publikisht denoncoi sulmin e 23 korrikut në Grackë. Nuk ka asnjë provë që udhëheqja e UÇK-së të ketë dirigjuar këtë dhunë”, ka deklaruar avokatja e Thaçit, duke e pyetur dëshmitarin se a ka ndonjë arsye për të vënë ndonjë dyshim raportin që përgatiti Departamenti amerikan i Shtetit.

Dëshmitari në vijim është përgjigjur në pyetjen e avokates, duke deklaruar se raporti vërtetë është përgatitur nga Departamenti i Shtetit dhe se nuk ka asnjë arsye për ta vënë në dyshim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga zyrtarët policor të rajonit Prishtinës, gjatë javës së kaluar…