AVONET: Po vazhdon dështimi i KQZ-së në lidhje me procesin e numërimit të votave të kandidatëve

13 shkurt 2025 | 21:02

Rrjeti i OJQ-ve, AVONET ka shprehur shqetësim të thellë në lidhje me zhvillimet e fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili si organ i pavarur kushtetues, sipas AVONET po vazhdon të dështojë të realizojë me sukses detyrimet dhe përgjegjësitë e saja kushtetuese dhe ligjore.

Sot, duke filluar nga ora 14:00 gjatë vëzhgimit të procesit të numërimit të votave, vëzhguesit e AVONET në Qendrën Komunale të Numërimit në Ferizaj, thuhet se evidentuan se procesi i numërimit të votave të kandidatëve nuk është zhvilluar me sukses, si rezultat i dështimit apo mos funksionimit të softuerit të KQZ-së.

“AVONET shpreh pakënaqësinë e thellë në lidhje me papërgjegjshmërinë dhe mos administrimin e duhur të procesit të numërimit të votave për kandidatët e subjekteve politike nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo shkelje e rregullave zgjedhore të përcaktuara nga vetë KQZ-ja përbën një sjellje të rrezikshme dhe të papërgjegjshme e cila mund të ndikoj jashtëzakonisht negativisht në procesin demokratik të zgjedhjeve, sepse vonesat e kësaj natyre po shkaktojnë një amulli dhe pakënaqësi në lidhje me këtë proces. Vonesat me orë të tëra po e ngadalësojnë jashtëzakonisht shumë këtë proces”, thuhet në reagimin e tyre.

AVONET i bën thirrje KQZ-së, që në mënyrë urgjente të ndërmarrë hapat e detyrueshëm ligjor dhe kushtetues, duke përmirësuar problemet e sistemit softuerik, në mënyrë që të garantojë se në kuadër të procesit zgjedhor po zbatohet në tërësi kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e këtij procesi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe…