AVONET: Therja e katër personave në Ferizaj ngre alarmin për sigurinë publike

11 nëntor 2024 | 21:29

AVONET ka shprehur shqetësim të thellë pas lajmit se në Ferizaj një burrë i quajtur Ekrem Sadiku, 59-vjeç, ka therur me thikë katër kalimtarë të rastit, në mesin e tyre edhe një 10-vjeçare.

Në një komunikatë për media nga AVONET thuhet se therja e katër personave është një ngjarje tejet alarmante për sigurinë publike dhe përbën një sinjal të qartë për pasigurinë publike me të cilën përballen qytetarët e Komunës së Ferizajt. Fatkeqësisht, incidentet e ngjashme, përfshirë therjet dhe rrahjet e vazhdueshme, kanë ndikuar thellësisht në ndjenjën e pasigurisë me të cilën përballen qytetarët.

“AVONET shpreh shqetësimin e thellë për gjendjen alarmante të sigurisë publike në Ferizaj, gjendje që vë në pah mungesën e efektivitetit të akterëve lokalë përgjegjës për këtë fushë. Është për të ardhur keq që Komuna e Ferizajt nuk mban në funksion një mekanizëm të rëndësishëm për garantimin e sigurisë, siç është Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi -KKSB. Ky forum, i cili ka për qëllim identifikimin dhe trajtimin e çështjeve të sigurisë publike, do të duhej të ishte në qendër të bashkëpunimit mes komunitetit dhe institucioneve.Në këtë kontekst, roli i bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe komunitetit është thelbësor, bazuar edhe në Strategjinë për policinë në bashkësi. Fatkeqësisht, së fundmi ky bashkëpunim duket se është dobësuar, duke humbur efektivitetin e tij në adresimin e sfidave që përballet komuniteti. AVONET ngrit alarmin mbi mungesën e komunikimit mes institucioneve dhe qytetarëve, çka ndikon drejtpërdrejt në identifikimin dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla tragjike. Kjo situatë kërkon një reagim të menjëhershëm dhe një bashkëpunim të përforcuar për të rikthyer besimin dhe sigurinë publike. AVONET shpreh solidaritetin e saj të plotë dhe lutet për shërimin e shpejtë të të lënduarve”, thuhet më tutje në komunikatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Viktima 10-vjeçare e therjes së katërfishtë në Ferizaj është në…