AVUK-u për gjashtë muaj asgjëson mbi 83 mijë kilogramë mish
Inspektorët e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK) gjatë vitit të kaluar ka realizuar 1 mijë e 600 inspektime.
AVUK-u gjatë gjashtëmujorit të fundit i ka asgjësuar 83 mijë e 301 kilogramë produkte me origjinë shtazore.
Kështu ka bërë me dije zëdhënësi i AVUK-ut, Lamir Thaçi, duke treguar edhe arsyet e asgjësimit të mishit.
“Arsyet e asgjësimit të produkteve me origjinë shtazore kanë qenë të ndryshme, për shkak të kushteve jo adekuate të ruajtjes, therjes së kafshëve jashtë thertoreve të licencuara, përpunim dhe paketim të produkteve pa licenca nga AUV-ja, me afat të skaduar, pa dokumentacion etj. Për periudhën 6-mujore të vitit 2020 janë asgjësuar 83 301 kg produkte”, ka thënë Thaçi për “KK”.
Ai ka theksuar se përveç ndalesave dhe konfiskimeve të produkteve që ka kryer Inspektorati, kanë qenë edhe vetë subjektet që kanë pasur kërkesa për asgjësimin e produkteve me afat të skaduar.