“Avullimi” i 2.1 milion eurove nga Thesari i Shtetit, Gjykata merr vendim për Kadri Shalën
Gjykata Themelore e Prishtinës, ka marrë vendim që t’ia vazhdojë edhe për dy muaj paraburgimin Kadri Shalës, i dyshuar për vjedhjen e 2.1 milion eurove nga Thesari i Shtetit. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Duke ju referuar kërkesës tuaj ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me aktvendim i ka vazhduar masën e paraburgimit të pandehurit K.SH. Të pandehurit K.SH. i është vazhduar masa e paraburgimit prej datës 24 janar 2021 deri me datë 23 mars 2021”, ka thënë Gashi për “Gazetën Sinjali”.
Kadri Shala ishte vetdorëzuar në Polici për “avullimin” e dy milion eurove nga Thesari i Shtetit, pas disa ditësh kërkimi nga autoritetet kosovare.
Shala, pronar i kompanisë “LDA Group” dyshohet se menjëherë pas pranimit mjeteve të cilat i takonin shtetit, së bashku me pronarin tjetër Valon Shalën kanë udhëtuar për në Turqi, teksa më datë 23 tetor 2020 ai ishte në Shqipëri.
Ditë më parë gjykata i ka vazhduar paraburgimin edhe të dyshuarit tjetër për vjedhjen e milionave nga Thesari i Shtetit, Labinot Grudës. Grudës i është vazhduar paraburgimi deri më 17 mars 2021.