Azem Syla – ‘Daja’, edhe në Hagë do ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së
Shkruan: Bislim Zogaj
Azem Syla-Daja, udhëtoi për në Hagë për t’u sfiduar edhe një herë padrejtësisht, por Daja është i pathyeshëm.
Daja që i ri ishte përcaktuar që të jetë përherë në shërbim të vendit i tij dhe përpos që kishte zgjedhur profesionin e shenjtë arsimin, ai e kishte filluar edhe veprimtarinë ilegale që synim e kishte lirinë e Kosovës.
Daja, gjatë veprimtarisë së tij u burgos nga pushtuesi serb, por edhe pas lirimit nga burgu nuk u tërhoq nga veprimtaria e tij liridashëse.
Azem Syla ishte një nga ideatorët e formimit të ushtrisë sonë çlirimtare, për çka edhe shokët ia besuan që të ishte Komandant i parë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, detyrë të cilën e kreu me përgjegjësi të lartë.
Duke ju falenderuar sakrificës së ushtarëve të UÇK-së dhe mbështetjes së NATO-s e udhëhequr nga SHBA-të, ai e arriti qëllimin e tij jetësor, ta çlironte një herë e pëgjithmonë vendin nga okupatori serb.
Por, ekzistenca e njerëzve të mëdhenj qenka pengesë e përhershme e njerëzve të ligë, atyre sikur liria po ua zinte frymën. Kështu edhe pas luftës kur Daja nuk kishte ndonjë aktivitet kyç, filluan sulmet nga mbeturinat e UDB-ës serbe që mjerisht ende po ekzistojnë në Kosovë. Me deklaratat shpifëse të tyre publike dhe të fshehta u munduan ta njollosin veprimtarinë e tij kombëtare dhe në kordinim me disa shqipëfolës ia arritën të ngritin aktakuza të ulëta për vrasje e deri të aktakuza për biznese të ndryshme me prona.
Si mundet një njëri me mendje të shëndoshë t’i besoj shpifjeve të tilla, që një njëri liridashës i cili tërë jetën ishte kundër pushtetit serb tani të bëj biznes me ta?!
Unë pata fatin që kur isha i ri të njihesha me Dajen dhe jam krenar që e pata udhërrefyes timin.
Fatkeqësisht që nga viti 2009 tri herë mu desh ta përcjellë atë për në prokurori.
Në vitin 2009, e përcolla në UNMIK, gjoja për vrasje, për të cilat prokuroria në mungesë të fakteve u tërhoq dhe nuk ngriti aktakuzë.
Në vitin 2016, në prokurorinë e EULEX-it, me aktakuzë për biznes pronash, ku edhe ky gjykim është në përfundim dhe sipas të gjitha gjasave, në mungesë të fakteve dhe dëshmitarëve kredibil, Daja do të dal i pafajshëm, për të cilën pafajsi duke e njohur nga afër kisha deklaruar edhe në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016.
Edhe sot në 2020-en, e përcolla për herë të tretë për në Gjykatën Speciale në Hagë, nga e cila Gjykatë përsëri e them me përgjegjësi të plotë jo vetëm që do të dal i pafajshëm por edhe në mënyren më të denjë do ta mbrojë luftën e drejtë të UÇK-së.
Daja edhe pse sot në një moshë të shtyer dhe me disa probleme shëndetsore e në të njëjtën kohë i dërrmuar nga shpifjet që ju bën në procesin e montuar për pronat ai sot nuk hezitoj t’i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale vetëm e vetëm për të dëshmuar për vlerat e pastërta të UÇK-së.
Jam i vetëdijshëm që shumë komentues do të vazhdojnë të paragjykojnë dhe do të kenë mendim ndryshe, por ju lus të gjithëve që të keni durim edhe pak, sepse të gjitha këto procese kundër tij do të përfundojnë në të drejtën e tij dhe vetëm ai që ka pasur fatin që të jetë pranë tij sikur unë që rrugëtova me të, mund ta njoh shpirtin e tij të drejtë, human, liridashës dhe sakrifikues për vendin e tij, ndërsa të gjithë ata që shpifen dhe e akuzuan pa asnjë argument së shpejti do të ndihen të penduar e të turpëruar para vetës së tyre për vrerin që vollen kundër një personaliteti të rrallë kombëtar siç është Daja.
Prandaj, shumë shpejtë do të vërtetohet se Azem Syla është një nga figurat kryesore të veprimtarisë kombëtare për Lirinë e Kosovës.
Me respekt përkulem para veprimtarisë tënde jetësore kombëtare, Dajë!