Azem Syla ftohet nga Specialja
Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla.
Lajmin e ka konfirmuar për media avokati i tij, Besnik Berisha i cili ka bërë me dije se klienti i tij e ka pranuar sot ftesën me shkrim nga përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara.
Azem Syla gjatë luftës së UÇK-së ishte emëruar si komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njihej me nofkën “Daja”.
Prokuroria e Specializuar, deri më tash, ka ftuar për intervistim rreth 100 persona, ndër ta edhe disa nga ish-figurat e larta të UÇK-së, që pas luftës, ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës, sikurse Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Shukri Buja, por edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.