Azem Sylës i zgjatet paraburgimi
Gjykata ia ka vazhduar edhe për një muaj masën e paraburgimit Azem Sylës.
Lajmin për “Kallxo.com” e ka konfirmuar Besnik Berisha, i cili mbron ish-deputetin e PDK-së dhe ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Avokati Berisha e ka quajtur vendim shabllon, të kundërligjshëm dhe në shkelje të të drejtave kushtetuese të klientit të tij.
“Në këndvështrimin tim Gjykata e EULEX-it është shndërruar në noter të kërkesave të Prokurorisë dhe nuk po e ushtron rolin e saj si organ vlerësues dhe i mbrojtjes së ligjshmërisë“, ka thënë Berisha.
Avokati tha se me të pandehurin Azem Syla po eksperimentohet.
“Frika e z. Syla dhe e mbrojtjes është se ky eksperimentim po bëhet dhe po vazhdon me qëllim që EULEX-i të zgjatë mandatin e tyre duke u thirrur në këtë rast etj”, tha ai.
“Janë tejkaluar të gjitha limitet e një procesi të drejtë dhe të ligjshëm, prandaj ekziston frika se z. Syla është dënuar akoma pa u gjykuar”, ka thënë Besnik Berisha.
Në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.
Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.