Azem Vllasi tregon kandidatin e tij të preferuar për kryeministër
Njohësi i çështjeve politike në vend, Azem Vllasi, ka thënë qytetarët ndihen të lodhur nga zgjedhjet të cilat nuk po prodhojnë stabilitet qeverisës.
Sipas tij, më e rëndësishme është që ata që hynë në Kuvend e të tregohen përgjegjës ndaj popullit dhe shtetit.
Vllasi ka konsideruar se kandidati më i mirë për kryeministër, në këto zgjedhje është Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
“Kuptohet, më humbësi do të dalë ai lista e të cilit merr më së paku vota. Pa marrë parasysh kush është ai si person. Personalisht mendoj se për kryeministër më i miri do të ishte kandidati i PDK-së Enver Hoxhaj. PDK-ja do të dal mirë me rezultate të zgjedhjeve”, ka thënë ai në një bisedë për “IndeksOnline”.
Sipas Vllasit, shanse të mira ka edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Edhe Albin Kurti ka shanse të mira pasi që LV-ja do të kalojë mirë në zgjedhje. Por të gjithë tjerët do t’i bëjnë probleme. Mbetet të shihet si qëndron ai në raport me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e çoi Kosovën në zgjedhje të reja”, ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas tij do të bjerë dukshëm me rezultate.
“LDK-ja në këto zgjedhje do të bjerë dukshëm nën nivelin që kishte në zgjedhjet e fundit”.
Nga ana tjetër, Vllasi ka thënë se Vjosa Osmani po i bën vend të mirë vetes në skenën politike.
“Vjosa Osmani është duke i bërë vetes vend të mirë në skenën politike. Së pari për shtetin dhe popullin e pastaj për vete. Ky duhet të jetë parim për njerëzit në pushtet”, ka theksuar Vllasi.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.