Azemi dorëzon kërkesat e punëtorëve në Kuvend, kërkon fond social për të larguarit nga puna
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës Jusuf Azemi dorëzoi sot kërkesat e kësaj sindikate te zëvendës kryetarja e Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci, e të cilat kanë të bëjnë për rritjen e pagës minimale, marrëveshja kolektive dhe gjykata e punës.
Azemi ka bërë të ditur se me këtë rast ka kërkuar caktimin e një afati kohor të përmbushjes së kërkesave nga Qeveria Kurti. Ai po ashtu ka bërë të ditur se pjesë e kërkesave janë edhe fondi social për punëtorët që vdesin në vendet e punës dhe të lënduarit, fond për ata që humbin vendin e punës. “E themi para zëvendëskryetares së Parlamentit të Kosovës se ka kohë e gjatë për të cilën ne dëshirojmë që paga minimale të lëvizë me një shpejtësi shumë më të madhe, pasi punëtorët janë të lodhur me pagat që kemi. Ne kemi kërkuar që programi i kryeministrit të jetë më i detajuar për të gjitha ato që ka premtuar se do të jetë pagë më e madhe se kjo që e kemi dhe që ka premtuar se do të kemi gjykatë të punës dhe gjykatën themelore dhe shumë gjëra tjera të detajohen dhe të përcaktohemi se deri në cilën datë të specifikohen të gjitha këto që i ka në programin e tyre”, tha Azemi.
Azemi ka kërkuar që të dihet një afat kohor për plotësimin e kërkesave të tyre nga Qeveria Kurti. “Ne nuk e dimë sot saktë se kur do të bëhet rritja e pagës minimale, nuk e dimë saktë se kur do të nënshkruhet marrëveshja kolektive dhe ne nuk e dimë saktë se kur do të themelohet gjykata e punës, për kundër asaj që ai ka premtuar që do t’i bëjë. Kjo mund të bëhet nesër, por mund të jetë edhe pas 3 vjet e gjysmë, sepse ai mund të thirret në atë që unë e kam në program 4-vjeçar”, u shpreh Azemi.
Azemi tha se ndër kërkesat e drejtuara ka qenë që të paguhen dy herë nga 100 euro punëtorët teknikë në shkolla. “Të paguhen me dy herë nga 100 euro edhe punëtorët teknikë që punojnë nëpër shkolla pasi që punëtorët e arsimit në të njëjtin ambient janë paguar dhe është marrë vendim që të paguhen, andaj edhe ne do të kërkojmë sepse jemi të barabartë. Kemi bërë njoftimin se edhe pagat në sektorin publik janë tepër më të mëdha apo trefish më të mëdha se punëtorët e sektorit privat”, tha ai.
Qeveria Kurti ka paralajmëruar rritjen e pagës minimale në Kosovë në 250 euro nga 170 sa është aktualisht. Ndryshe, rritja e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndodhur që nga viti 2011.