Azemi i LDK-së publikon ‘sondazhin’ me ministrat më të dobët në realizimin e investimeve kapitale
Zyrtari i lartë i LDK-së, Visar Azemi, ka publikuar shifrat e ministrive që kanë më së paku investime kapitale gjatë vitit 2023.
Azemi ka thënë se e pasqyrojnë paaftësinë e ministrave për t’i realizuar investimet kapitale.
“Derisa pushteti krekoset me shifrat e përqindjet e sondazheve të porositura, le t’i trajtojmë pak numrat që e shpërfaqin realitetin e kësaj qeverisjeje. Këto shifra nuk janë të porositura, por burojnë nga Thesari i Shtetit, dhe e pasqyrojnë paaftësinë e ministrave për t’i realizuar investimet kapitale në vitin që shkoi”, ka shkruar ai “Facebook”
Më tutje, ai ka renditur ministrin më të dobët të qeverisë Kurti për mungesën e investimeve kapitale.
“Kjo renditje paraqet rast unik në rajon e botë pasi që një pushtet që i thur vetes lavde për rritje ekonomike të lartë, ka ministre të ekonomisë dike që mezi realizon 11% të investimeve kapitale brenda një viti. Me këtë, Kosova bëhet shteti i vetëm në botë që ka rritje ekonomike aq të lartë me realizimin e minimumit të projekteve kapitale.” – ka shkruar ndër të tjera ai në “Facebook.
Postimi i plotë:
Derisa pushteti krekoset me shifrat e përqindjet e sondazheve të porositura, le t’i trajtojmë pak numrat që e shpërfaqin realitetin e kësaj qeverisjeje. Këto shifra nuk janë të porositura, por burojnë nga Thesari i Shtetit, dhe e pasqyrojnë paaftësinë e ministrave për t’i realizuar investimet kapitale në vitin që shkoi.
Shkojmë me “sondazhin” më të ri për ministrat më të dobët në realizimin e investimeve kapitale gjatë vitit 2023.
– Ministri më i mirë nga ministrat më të dobët është ai i Financave, Hekuran Murati, i cili ka arritur t’i realizojë pak më shumë se gjysmën e investimeve kapitale, veç 52%. Muratit, që i pëlqejnë shumë grafikat që flasin për “sukseset e Qeverisë”, ia falim edhe këtë grafikë që e nxjerr fitues në garën mes ministrave më të paaftë.
– Vendin e dytë e ndajnë me nga 51% Arben Vitia i Shëndetësisë dhe Albulena Haxhiu e Drejtësisë. Kjo dyshe kanë menduar që shkalla e realizimit të investimeve kapitale duhet të jetë e njëjtë me përqindjen e partisë në zgjedhjet e fundit, pra kanë besuar që duhet t’i realizojnë vetëm projektet e elektoratit të tyre.
– Në vend të tretë, pa i realizuar as gjysmën e investimeve kapitale, me 44%, është Rozeta Hajdari e Tregtisë, sigurisht e asistuar nga Ridi i Bukë e Zemër. Përqindja e saj do të ishte më e lartë sikur të mos kishte humbur shumë kohë nëpër gjykata, sikur të mos ishte aq e zënë duke arsyetuar aferat në ministri dhe sikur të mos kishte shumë punë në luftën kundër bizneseve.
– Afër saj me 42%, në vendin e katërt është ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Edhe ai do të ishte më mirë sikur shefi i tij ta linte më shumë të mirrej me Veriun e komunitetin serb, por non stop i ka qëndruar në territor.
– Kurse, në vend të fundit, në vendin e pestë, duke mos e kaluar pragun, është ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli.
Kjo renditje paraqet rast unik në rajon e botë pasi që një pushtet që i thur vetes lavde për rritje ekonomike të lartë, ka ministre të ekonomisë dike që mezi realizon 11% të investimeve kapitale brenda një viti. Me këtë, Kosova bëhet shteti i vetëm në botë që ka rritje ekonomike aq të lartë me realizimin e minimumit të projekteve kapitale