Azemi: Kjo qeveri nuk bëri asgjë për punëtorët e sektorit privat
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se nga këndi sindikal thonë se koha e demagogjive ka përfunduar.
Azemi e ka kundërshtuar kryeministrin Kurti lidhur me 1 Majin, duke thënë se “ti thuash dikujt se kemi shtuar vende të punës, kemi krijuar kushte më të mira për punëtor të sektorit provat të Kosovës mundet edhe ‘ta ha pazari’”.
“Por ne jemi këtu çdo ditë dhe disa herë e kemi kërkuar, edhe sot e kërkuam që disa premtime që i ka gjatë fushatës, a mund të del dikush të thotë se një dhe këtë e kemi realizuar”, ka thënë Azemi.
Azemi ka thënë tutje se e dinë që të gjitha premtimet e fushatës nuk mund t’i realizojnë por sipas tij, duhet të bëjnë të ditur arsyen se pse nuk po realizohen.
Azemi ka shtuar se ofrimi i kushteve më të mira për punëtorët e sektorit privat të nga kjo qeveri dhe nga qeveritë tjera është “e barabartë me zero”.
“Tek punëtorët e sektorit privat të Kosovës kjo qeveri e ka rritur ironizimin sepse gjatë kësaj periudhe punëtorët e sektorit publik ishin dhe janë në një pozitë më të mirë se ne edhe me paga dhe me mbështetje, subvencione”, ka theksuar kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.
Ndryshe këtë të hënë është shënuar 1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punës.