Azemi: Kurtit dhe Muratit zyrtarisht u kam shkruar 27 herë, kanë refuzuar të takohen
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, tha se kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati u ka shkruar 27 herë zyrtarisht, por që nuk janë takuar.
“E tha në medie dje, tha ata që më ftojnë unë shkoj tek ta. Unë personalisht, kryeministrit dhe Ministrit të Financave, zyrtarisht i kam shkruar 27 herë shkresat për… dhe ai nuk e sheh të arsyeshme, normal që tani e tutje në njëfarë forme po them ne kemi heq dorë prej saj, sepse e kemi kuptu që nuk don”, u shpreh Azemi.
Ai theksoi se njerëzit me bindje politike nuk mund t’i udhëheqin çështjet ekonomike.
Sipas tij, kryeministri duhet të mbajë më shumë përgjegjësi për punëtorin që ky e përfaqëson, më shumë sesa vetë Azemi.
“Por, në aspekt ekonomik po shihet që është punëtori që unë e përfaqësoj, ai punëtor është edhe i Kryeministrit. Bile, bile më shumë duhet me mbajtë përgjegjësi ai për punëtorin që flas unë sesa unë, sepse ai e ka magjen dhe unë mund t’ia tërheq vërejtjen për raste, sepse ai nuk mund t’i dijë të gjitha. Por unë kom mendu që në moment kur ky të vijë Kryeministër, ne kemi me pas nevojë me ia qit një letër, me i thanë “Kryeministër, kompanitë private me miliona euro po i ikin kontributeve të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës”, shtoi tutje ai në Kohavizion, transmeton betimiperdrejtesi.
Mirëpo, tha se tash kemi kaluar në një fazë tjetër, duke shtuar se “nëse ti i thua që po bëhet një e keqe ndaj një punëtori të sektorit privat, ai vetëm e mendon atë që ky po flet kundër meje”.
Sipas Azemit, me subvencionet për punëtorët e sektorit privat, vetëm se po ndihmohen familjarët e pronarëve të kompanive.
“A ka qenë mirë me marrë një ide të një sindikalisti, me thanë më fal bre unë du me i nda 100 milionë euro, cila mendon ti që është forma, veç propozo”, shtoi ai.
Azemi tha se forma për t’iu dhënë para familjarëve të pronarëve të kompanive është e dëmshme dhe është vepër penale.