Azemi: Më shumë sot po na ikin rinia dhe punëtorët nga Kosova, se gjatë viteve të okupimit 1990-‘99
Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi ka thënë se qytetarët po ikin nga Kosova sikurse në vitet e okupimit, gjatë viteve 1990-’99.
Azemi ka bërë një përllogaritje për ta mbështetur deklaratën e tij.
“Sipas shifrave që i kemi, më shumë sot po na ikin rinia dhe punëtorët nga Kosova, se në kohën kur kemi qenë të okupuar se sa në vitet 1990-’99. Ndoshta duket ekzagjërim, por me vetë faktin që në vitin 2021 t’kanë shku 42 mijë vetë, edhe nëse ti e merr për 10 vjet të kanë shku, dhe nëse ti e merr për 10 vjet, të kanë shku që420 mijë vetë. Faktikisht, domethënë, edhe në vitin ’90-’99 të kanë ikë po kaq njerëz”, ka deklaruar ai në emisionin Pressing.
Në emisionin Pressing po diskutohet fenomeni shqetësues i ikjes së qytetarëve të Kosovës, veçanërisht i të rinjve, drejt shteteve të BE-së dhe më larg.
Sipas të dhënave, të paraqitura gjatë emisionit, janë qindra mijëra qytetarë që e kanë lëshuar Kosovën përgjatë viteve të pasluftës.
Më shqetësues emigrimi ka qenë gjatë viteve 2014-2016 si dhe nga viti 2020 e tutje.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), së fundmi ka bërë vlerësimin e popullsisë së Kosovës për vitin 2021. Sipas ASK-së gjatë vitit 2021, popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 14 ,391 persona.
Po ashtu, është vlerësuar se gjatë këtij viti kanë ndërruar vendbanimin, komunën e tyre, 7 353 persona; imigruar (përfshi të kthyerit) në Kosovë, 4,122 persona.
Ndërkaq vitin e kaluar (2021), sipas ASK-së, kanë emigruar 42,728.