Azemi: Qesharake deklaratat e Gërvallës se 150 mijë punëtorë marrin më pak se 350 euro

29 gusht 2024 | 19:29

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se deklaratat e zëvendëskryeministres Donika Gërvalla se 150 mijë punëtorë marrin më pak se paga minimale nuk janë të vërteta.

Sipas tij, një deklaratë e tillë nuk do të kishte vend të thuhej as nga një italian.

“Dyshoj se paga minimale do të implementohet dhe ishin shifra vërtetë që ishin shumë qesharake, dëgjova shifrat e zëvendëskryeministres Donika Gërvalla se 150 mijë punëtorë marrin më pak se paga minimale. Kjo me të vërtetë është diçka që nuk do kishte guxim me ndodhë ta thotë edhe një italian apo kushdo qoftë. Absolutisht nuk është e vërtetë, unë e kuptoj që është statistikë ka mundur ta marrë te ATK-ja, por këtu është dobësia e shtetit”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Sipas tij, paga minimale në vlerë prej 350 eurove prek vetëm rreth 10 mijë punëtorë.

“Ne kemi informacione dhe të dhëna të sakta që kjo pagë tashmë prekë rreth 10 mijë punëtorë, të cilët janë punëtorët që i ka diskriminuar shteti e në veçanti i ka diskriminuar Qeveria dhe komunat. Sepse, pagë minimale 350 euro pothuajse askund më nuk mund të qëndrojë”, tha Azemi.

Me vendimin që është marrë nga Qeveria e Kosovës për rritjen e pagës minimale, duke e çuar atë në 350 euro, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se ky vendim iu përket 150 mijë punëtorëve që aktualisht marrin më pak se 350 euro në muaj.

Por, për këtë Azemi ironizoi se paga minimale prej 350 eurove i ka vë në telashe punëtorët, pasi që “tepricën” e saj nuk do dinë se ku ta shpenzojnë.

“Për besë na ka vu në telashe, sepse tepricën e kësaj page s’dimë ku ta lëmë. Realisht, iu është dhënë një kompozitat shumë i madh për të cilin unë dyshoj se do të implementohet që nga tetori… Kjo nuk është një pagë minimale, kjo është një pagë parazgjedhore, sepse kjo pagë po të ishte në fillim të mandatit, sigurisht që do ta kishte vlerën e vetë dhe normal që edhe ne do të iu ishim gëzuar këtij fakti”, deklaroi Azemi.

Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim që pagën minimale në vend ta rris në 350 euro për punëtorët e të gjitha moshave. Kjo rritje u bë vetëm disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto për të gjithë të punësuarit në sektorin publik e privat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë…