Azerbajxhani vret edhe 51 ushtarë armenë

29 tetor 2020 | 08:53

Ministria e Mbrojtjes e Nagorno-Karabakut, e cila udhëhiqet nga armenët etnikë, tha të enjten se i janë vrarë edhe 51 ushtarë gjatë luftimeve me Azerbajxhanin. Shifra e përgjithshme e të vrarëve në mesin e personelit ushtarak të republikës së panjohur ndërkombëtarisht shkoi në 1 119 që nga fillimi i luftimeve më 27 shtator, njoftoi ky organ.

Përleshja e fundit mes Azerbajxhanit dhe armenëve që ndodhen brenda territorit zyrtar të tij e që po përkrahen nga Armenia është më e përgjakshmja që nga vitet nëntëdhjetë kur ishin vrarë rreth 30 000 persona, shkruan “Reuters”.

 Pse po luftojnë Armenia dhe Azerbajxhani?

Armenia dhe Azerbajxhani kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik deri në shpërbërjen e tij më 1991. Për katër dekada këto dy shtete të vogla janë në konflikt të pazgjidhur për rajonin Nagorno-Karabak, i cili nga komuniteti ndërkombëtar njihet si territor i Azerbajxhanit, por që kontrollohet nga armenët, shkruan “Express”.

Para këtij viti, tensionet ishin rritur edhe në vitin 2016, kur forcat e të dyja vendeve ishin përleshur për katër ditë me radhë.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është përpjekur për një kohë të gjatë që të gjejë një zgjidhje për këtë mosmarrëveshje duke e formuar Grupin e Minskut, të përbërë nga diplomatët francezë, rusë dhe amerikanë, me qëllim të arritjes së një armëpushimi të qëndrueshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se 75 milionë njerëz kanë votuar tashmë gjashtë…