AZHB-ja merr vendim për shlyerjen e njërit numër identifikues të fermës (NIF)
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë vendim për shlyerjen e njërit numër identifikues të fermës (NIF) nga ekonomitë familjare, të cilat posedojnë më shumë se një numër të tillë.
Të gjithë ata fermerë që kanë aplikuar për të përfituar grante investive në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të vitit 2018, obligohen që brenda afatit të përcaktuar ligjor prej 8 ditësh të deklarojnë në mënyrë vullnetare në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë për shlyerjen e njërit Numër Identifikues të Fermës nga ekonomia e tyre familjare.
Ky vendim, e obligon Drejtorinë e Miratimit të Projekteve të Zhvillimit Rural në AZHB, që gjatë shqyrtimit të gjitha aplikacioneve për programet për Projektet e Zhvillimit Rural për vitin 2018, në të cilat gjatë vlerësimit konstatohet nëse një ekonomi familjare ka më shumë se një numër identifikues të fermave, të njoftohen menjëherë aplikuesit për shlyerjen e njërit numër.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të AZHB-së, Ekrem Gjokaj, ka treguar se ky vendim është marrë duke u bazuar në praktikat më të mira bujqësore, si dhe ankesave të disa fermerëve për mos diskriminim.
/Epoka e re/