BABADIMRI NËPËR KOHË TË VËSHTIRA
Pushtuesi serb në vazhdimësi ka hulumtuar forma nga më të ndryshme veprimesh kundër popullit shqiptar. Në vitet ’90, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, atëherë në kuadër të ish-Jugosllavisë, regjimi serb vazhdon duke shtuar format më të egra të dhunës mbi shqiptarët në Kosovë. Ndër të tjera, ndan nxënësit shqiptarë nëpër shkolla nga ata serbë, në ndërrime të ndryshme, me qëllim të helmimit të nxënësve shqiptarë më vonë. Larguan nga puna, nga të gjitha profilet, të gjithë punëtorët shqiptarë që nuk ishin luajalë të regjimit komunist serb. Larguan policë, minatorë, gazetarë, mjekë, mësimdhënës etj. Vepruan me të gjitha format më të këqija, për të nxitur rekcione te populli shqiptar, për të krijuar reaksione, e pastaj aksionet më të egra luftënxitëse ndaj popullit shqiptar duarthatë. Qëllimi ishte zbrazja e Kosovës, shfarosja e shqiptarëve, pastrimi etnik, sikur në vazhdimësi edhe në të kaluarën.
Babadimri mbeti pa dhurata, sepse populli mbeti pa punë, pa burime. Si t’u shpjegohej fëmijëve se kësaj radhe nuk ka babadimër. Në dhjetor të vitit 1991 mësimdhënësit kërkonin nga fëmijët që të shkruajnë ndonjë poezi për babadimrin. Çka të shkruhej, çka t’u thuhej, ishte prekëse. Nuk kishte dhurata Babadimri, nuk kishte gëzim për fëmijët shqiptarë, nuk e kishin mundësinë prindërit e papunë që t’i gëzonin fëmijët e vet me ndonjë dhuratë e t’u thonë: “Këto dhurata i keni nga Babadimri”. Nga një krijesë e imagjinuar nga bota humane për t’i bërë fëmijët e lumtur. Atëherë nga ky motiv, i shkrova këto vargje, të cilat për herë të parë po i botoj sot.
Kohë të vështira
BABADIMRI, dhjetor 1991
Fëmijët:
Babadimër zemërbardhë
Sot mirë se na ke ardhë.
Si duket mirë nuk jeni,
Po dhuratat, ku i keni?
Babadimri:
Duke ardhë unë rrugës time,
më doli para një shtrigë e nxime,
shtrigë e nxime hije terri,
nuk pata fat, më zuri sherri.
Fëmijët:
Babadimër mos u mërzit
se ne shtrigës do t’i dalim n’pritë,
do të vijë një ditë e bardhë e
do ta ndjekim kah ka ardhë.
Babadimri:
Po e shihni nuk kam dhurata
kësaj radhe as fjalë të gjata.
E pata veç një amanet
mirëpo ju, po e ditkit vetë!
Babadimri dhe fëmijët:
Do të vijë një ditë e bardhë e
do ta ndjekim, kah ka ardhë.
Dhe vërtet fëmijët fjalën që ia dhanë Babadimrit, edhe e mbajtën, “Do të vijë një ditë e bardhë e do ta ndjekim kah ka ardhë”! Këta fëmijë në vitin 1999 u bënë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi!
Sadik Rr. Krasniqi, dhjetor 1991