Babai e bën për spital vajzën 13-vjeçare, arrestohet
Jo rrallëherë fëmijët janë viktima të dhunës nga prindërit e tyre apo anëtarët e tjerë të familjes. Në shumicën e këtyre rasteve fëmijët janë edhe të moshës së mitur, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike.
Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në Pejë. Policia arrestoi një 42-vjeçar që dyshohet për dhunë në familje.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se këtë herë viktimë është një vajzë e mitur, ndaj së cilës ka ushtruar dhunë babai i saj.
I dyshuari e kishte rrahur vajzën 13-vjeçare në pikë të mëngjesit, duke e bërë për spital si pasojë e lëndimeve trupore.
Si rezultat i raportimit të rastit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.