Babai i Agon Musliut paralajmëron padi kundër ish-qeverisë Kurti
Në 8-mujorin e vdekjes së Agon Musliut nga Gjilani, prindërit e tij kanë dërguar kurora lulesh te konviktet e studentëve në Prishtinë, ku edhe dyshohet se i riu bëri vetëvrasje.
Babai i Agonit, Naim Musliu, ka deklaruar se do ta padisë qeverinë Kurti, për shkak të vdekjes së të birit.
“Në fillim kam thënë se drejtësia bie mbi qeverinë Kurti, Sveçla e Vitia. Unë për këtë do të kërkojë drejtësi dhe do të bëjë padi sepse në mënyrë kundërligjore është karantinuar. Edhe në komisionin hetimor deputetët e Vetëvendosjes kanë votuar kundër. Unë nuk do të ndalem për djalin tim dhe do të bëjë padi për ish-qeverinë Kurti”, ka thënë Musliu, raporton “Express”.
Agon Musliu nga fshati Livoç i Epërm i Gjilanit ka vdekur më 3 maj në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ku po qëndronte në karantinë pas kthimit nga Gjermania.
Për vdekjen e të birit, prindërit kanë fajësuar shtetin.