Babai i Astrit Deharit, Haki Abazit: Pse heshte deri më sot?
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka akuzuar të enjten partinë e tij, siç ka thënë se ekzistojnë video-incizime ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
Sipas tij, Prokuroria Speciale duhet të marrë në pyetje kryeministrin Albin Kurti, Dejona Mihali, Albulena Haxhiun, Nazlie Balan dhe Flutura Gogaj-Bajrami për këtë rast.
Për akuzat e Abazit ka folur Avni Dehari, babai i Astrit.
Dehari ka thënë se nëse Abazi e ka ditur këtë më herët pse ka heshtur deri sot.
“Rasti i mostrave ka ndodhur më 8.12.2022. Pyetini ata që tash ngritën pse kanë heshtur atëherë dhe pse duan të flasin tani për këtë rast”, ka thënë Dehari për “FronOnline”.
Ai ka thënë se arsyet që po flitet tani për mostrat e zhdukura të Astritit janë vetëm synimet personale të Abazit.
“Nuk dua të lëshohem në rrafshin e atyre personave që rastin e Astritit dhe çdo rast tjetër e shfrytëzojnë për realizimin e synimeve personale”, ka thënë Dehari.
Mostrat e Deharit janë zhdukur në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Pas zhdukjes së këtyre mostrave janë pezulluar zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë. Prokuroria atëkohë pati thënë se është vetëvrasje, ndërsa familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.