Babai i Dakut: Milindi nuk do të largohet nga Rubin Kazani
Mirlind Daku do të mbetet te skuadra e Rubin Kazanit në elitën e futbollit të Rusisë. Kështu ka thënë babai i Mirlindit, Fehmi Daku, për mediumin rus, “Sport24”. Ai ka shtuar se djali i tij nuk pritet të largohet nga elita ruse e futbollit deri në afatin kalimtar dimëror. Më pas do t’i shqyrtojnë të gjitha ofertat që do të vijnë në drejtim të tij.
“Nuk ka oferta që e bëjnë djalin tim të largohet nga klubi. Të gjitha janë vetëm interesime. Mirlindi me shumë gjasë do të qëndrojë te Rubini. Dua që ai të vazhdojë me formën në të cilën është aktualisht në klub. Mendoj se në janar do të vijnë oferta më të favorshme për Mirlindin dhe Rubinin”, ka thënë Fehmi Daku.
Sulmuesi i Shqipërisë u transferua te Rubin Kazani nga Osijeku kroat në verën e vitit të kaluar për 1.2 milionë euro. Ai ka zhvilluar 39 ndeshje për Rubin Kazanin. Ka shënuar 15 gola dhe ka kontribuuar me shtatë asistime. Daku po vlerësohet shumë për formën nëpër të cilën po kalon në këtë edicion. Për të ka folur edhe ish-mesfushori i Rubin Kazanit, Denis Boyarintsev, që tani është trajner i skuadrës Rotor Volgograd, në kategorinë e dytë. “Daku i plotëson kushtet për të luajtur në Premier Leaguen e Rusisë. Ai ka teknikë, gjatësi, gjuajtje dhe orientim të mirë për golin. Për mua, një sulmues i klasit të lartë duhet të shënojë 15 gola e më shumë. Nëse ai i shënon 15 gola në këtë edicion, ai do të bëhet top-lojtar. Do të ketë vështirësi nëse shkon në ndonjë klub të madh evropian. Por për kampionatin e Rusisë, ai ka mjaftueshëm aftësi për t’i shënuar të paktën dhjetë gola”, ka thënë Boyarintsev për “Legalbet” të dielën.