Babai i djalit ka shkuar në aeroport, por s’e kanë lejuar ta takojë
Dje pasdite një 26-vjeçar nga Gjilani, i cili ishte kthyer nga Gjermania në Kosovë dhe ishte dërguar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë për t’u izoluar, ka rënë nga kati i shtatë i konviktit ku po qëndronte dhe, si pasojë, kësaj ka vdekur. Lidhur me këtë ngjarje, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot në një konferencë për media tha se kërkon nga organet e hetuesisë që t’i kryejnë të gjitha hetimet e nevojshme dhe të zbardhin rastin
Haziri tha se Gjilani ka përjetuar një tragjedi tjetër me vdekjen e 26-vjeçarit.
“Dje dhe sot Gjilani po kalon nëpër tragjedi të paimagjinueshme. Dhimbje e madhe me rastin e njoftimit se një djalë i ri nga komuna jonë, i cili është kthyer nga Gjermania, ka vdekur. Kërkojmë nga organet e hetuesisë ta hetojnë rastin deri në fund, t’i japin qetësi familjes duke e zbardhur rastin. Ia kemi obligim çdo njërit që është prekur nga kjo situatë”, ka thënë Haziri.
I pyetur nëse familjarët kanë kërkuar që i riu të izolohej në shtëpi, Haziri tha se babait të 26-vjeçarit nuk i është lejuar ta takojë atë. “Definitivisht, vetë fakti se mënyra e organizimit të kthimit ka qenë përmes institucioneve të Kosovës, Komuna e Gjilanit i ka bërë kërkesë Ambasadës së Kosovës në Berlin, ambasada ka reaguar dhe ka organizuar kthimin me aeroplanin e parë. E kemi plotësuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për këtë rast që ka qenë me prioritet, por në Prishtinë iu është nënshtruar rregullave të Prishtinës, mandej ne s’kemi pasur mundësi tjetër. Babai i djalit ka qenë në aeroport, ka kërkuar ta takojë djalin, por nuk e kanë lejuar”, tha Haziri.