Babai i dorasit të Liridonës: Nëse Graniti e ka bërë këtë vepër, për mua është i vdekur
Babai i dorasit në vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plavës, ka thënë se djali i tij është i vdekur për të.
Ai ka treguar se Graniti jetonte vetëm me gruan dhe fëmijët e tij, ndërsa ai vetë në Kroaci dhe se kishte dy ditë që kishte ardhur në Kosovë.
“Është shumë e vështirë për tri shtëpitë. Nuk po mundem as me paramenduar. Nuk mund ta besoj që djali im e ka bërë këtë. I them hetuesisë ta çojnë deri në fund, si ka ardhur deri te kjo, kush ka qenë iniciator. Me marrë dënimin e merituar”.
“Kurrë se kisha menduar që e bënë atë punë. Nëse Graniti e ka bo këtë rast le ta merr dënimin e merituar”.
“Gruaja e tij është e tronditur, nuk po mundet me besuar. Nuk e kam takuar. Nuk du me shku me taku, du mu qetësu. Nuk jam në gjendje me taku”, ka thënë ai për “Indeksonline”.
Ai ka thënë se për të djali i tij është i vdekur nëse e ka bërë krimin.
“Nëse Graniti e ka bërë këtë vepër, është i vdekur për mua, është i vdekur për jetë”, ka thënë babai i dorasit, duke i shprehur ngushëllime familjes Ademaj.