Babai i Edon Zhegrovës, Lulzimi, kandidat i LDK-së për deputet
Babai i futbollistit të njohur kosovar, Edon Zhegrova, Lulzimi, do jetë kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Këtë e bëri të ditur, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili shprehet i bindur se përvoja e Lulzimit do u shërbejë për shtetin.
”Lulzim Zhegrova nga sot është pjesë e LDK-së. Atë, së bashku me zonjën Sanije, dy prindërit e supertalentit Edon Zhegrova, i pritëm në selinë qendrore të LDK-së!
Lajmin ja kumtuam edhe Edonit. Për të, Lulzimi dhe Sanija kanë qenë gjithmonë forcë mbështetëse në gjithë karrierën mbresëlënëse. Jam i bindur se përvoja e Lulit, do të na shërbejë shumë edhe si vend edhe si shtet. Kjo familje, mbetet model dhe ëndërr e shumë familjeve tjera, që besojnë se një ditë, të vegjëlit e tyre do të jenë lojtarë të ndeshjes kundër Real Madridit, e do të përfaqësojnë ngjyrat e fanelave më të bukura në botë, të Kombëtares së Kosovës!
Lulzim Zhegrova do të jetë pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit. Lulzimi vjen me një perspektivë unike dhe me energji të re për ta ndërtuar një të ardhme ku çdo i ri i talentuar në Kosovë ka mundësi reale për të realizuar potencialin e tij, si në sport ashtu edhe në jetë.
Bashkë do ta bëjmë Kosovën një vend ku ëndrrat bëhen realitet, ku të rinjtë i kanë të gjitha mundësitë të shkëlqejnë fort, dhe ku sporti shndërrohet në një forcë kombëtare për zhvillim.
Na priftë e mbara!”