Babai i “Gjeneralit…” feston ditëlindjen e 84-t

28 janar 2020 | 07:50

Ismail Kadare është shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar dhjetëra herë për Çmimin Nobel për Letërsi.

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi Degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, më pas shkoi në Moskë për studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja), ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.

Sot, babai i veprës më të njohur dhe të përkthyer të letërsisë shqipe, i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, Ismail Kadare, feston ditëlindjen e 84-t.

ISMAIL KADARE

MALL

Ca pika shiu ranë mbi qelq.

Për ty unë befas ndjeva mall.

Jetojmë të dy në një qytet,

Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.

 

Edhe m’u duk pak e çuditshme

Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.

Qiejt e ngrysur pa lejlekë

Dhe shirat pa ylbere në mes.

 

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit

Seç m’u kujtua sot për dreq :

“Të zgjuarit janë bashkë në botë,

Kurse të fjeturit janë veç”.

 

Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq,

Që dot s’po zgjohemi ne vallë ?…

Ca pika shiu ranë mbi qelq

Dhe unë për ty seç ndjeva mall.

1976

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një…