Babai i Hysni Gucatit: Shteti duhet të bëjë më shumë për djemtë tanë në Hagë
Ish-i burgosuri politik dhe ish-ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani, i shoqëruar edhe nga Sadik Zeqiri, ish-i burgosur, kanë vizituar familjen e Hysni Gucatit në Marinë të komunës së Skenderajt. Ata janë pritur nga kryefamiljari Avdullah Gucati me nipat e tij.
Nait Hasani e ka njoftuar babanë e Hysni Gucatit për vizitën që kishte pasur ditë më parë në Hagë, ku kishte takuar bashkëluftëtarët e tij që po mbahen në paraburgim.
Qëllimi i kësaj vizite ishte që edhe kjo familje dhe familjet e tjera të kuptojnë se ka qytetarë të këtij vendi që nuk i harrojnë në këto kohë të vështira, kur djemtë e tyre po përballen me padrejtësinë e Gjykatës Speciale, shkruan “Epoka e re”.
Plaku 86-vjeçar, Avdullah Gucati nga Marina e Skenderajt, ka falënderuar Nait Hasanin dhe Sadik Zeqirin për vizitën.
Avdullah Gucati, edhe pse në moshë të shtyrë, ka vizituar djalin e tij në Hagë dhe gjatë rrugës kishte pasur edhe mundim, pasi kishte ndërruar aeroplanët për shkak të linjave jo të rregullta të udhëtimit. Derisa bisedonin edhe për të paraburgosurit në Hagë, ai tregonte edhe një rrëfim të gjatë për sakrificën e tij gjatë luftës në Kosovë, ku deri në përfundim të saj nuk kishte pasur asnjë informatë për familjen e tij.
Babai i Hysni Gucatit ishte pjesë e luftës çlirimtare dhe ishte vendosur në frontin e Koshares. Gjatë këtij rrëfimi bacës Avdullah i rridhnin edhe lotët. Këta lot nuk ishin për djalin e tij Hysni Gucatin që po mbahet në burgun e Hagës, por lot për një fëmijë të vogël dhe nënën e tij të re që lëshonin Kosovën nga agresori serb, ku gjatë luftës ai i kishte takuar i veshur me uniformën e UÇK-së.
Avdullah Gucati ka punuar në Gjermani në qytetin e Mynhenit dhe duke parë se Kosova kishte nevojë për luftëtarë, pavarësisht se djemtë e tij ishin pjesë e UÇK-së, vendosi të kthehej edhe vetë nga Gjermania e t’i bashkohej luftës çlirimtare duke u bërë pjesë e frontit të Koshares.
Në kohën e fillimit të luftës, edhe pse kishte 63 vjet, komandanti Rrustem Berisha e kishte lutur të mos bëhej pjesë e frontit, por të shërbente në kuzhinë për ushtarët e UÇK-së. Por, Avdullah Gucati kishte vendosur që të jetë pjesë e frontit të luftës.
Pas disa ditësh babai i Gucatit kishte kërkuar leje që të niset për Kolsh të Kukësit. Arsyeja e vetme ishte që të merrte ndonjë informatë për familjarët e tij të cilët ishin në Kosovë. Avdullahu nuk kishte asnjë informatë për Hysniun dhe për të tjerët. Madje Hysniu kishte shumë plagë në trup atëkohë. Megjithatë, as vizita në Kolsh nuk i kishte ndihmuar rreth ndonjë informate për gruan, djemtë, nipa e mbesat.
Gjithë këtë muhabet baca Avdullah na tregoi në odën e tij mes lotësh. “Këta lot nuk po më dalin për Hysniun, as për presidentin Thaçi, as për Jakup Krasniqin, as për Kadri Veselin, as për Rexhep Selimin, as për Nasim Haradinajn, as për Salih Mustafën dhe Pjetër Shalën, por për vuajtjet e këtij populli që ka përjetuar nga kriminelët serbë. Si popull shpejt i harruam vuajtjet dhe harruam dashurinë për njëri-tjetrin. Nuk po jemi njëzëri që t’i mbrojmë vlerat e luftës dhe djemtë që po mbahen nëpër burgje me aktakuza të fabrikuara nga Serbia. Shteti i Kosovës duhet të bëjë më shumë për djemtë tanë në Hagë”, e përfundon rrëfimin e tij babai i Hysni Gucatit, baca Avdullah.
Nait Hasani së bashku me Sadik Zeqirin këto ditë kanë vizituar edhe familjen e Jakup Krasniqit, ku janë pritur nga bashkëshortja Sevdija dhe fëmijët e tyre. Po ashtu, ata kanë vizituar edhe familjen e Kadri Veselit, ku janë pritur nga vëllai i tij, Ismet Veseli. Hasani dhe Zeqiri, gjithashtu, kanë vizituar edhe familjen e Rexhep Selimit, ku janë pritur nga kryefamiljari Ilaz Selimi.
Ish-ambasadori Nait Hasani dhe Sadik Zeqiri kanë paralajmëruar se në ditët e ardhshme do ta vizitojnë edhe familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe familjen e Nasim Haradinajt e të Pjetër Shalës. /Epoka e re/.