Babai i Tyson Furyt: Djali im i lënduar në bërryl ka dueluar para sfidës me Wilderin
John Fury, babai i boksierit britanik Tyson Fury, u shpreh se djali i tij ka dueluar i dëmtuar në bërryl në trilogjinë e zhvilluar një muaj më parë në Las Vegas, ku ai mposhti Deontay Wilder më KO në raundin e 11-të.
Në këtë sfidë Fury mbrojti titullin kampion bote të peshës së rëndë (kategoria WBC). Sipas John Furyt, Tysoni është dëmtuar dy herë në bërryl gjatë përgatitjeve që ka bërë për këtë sfidë, duke mos qenë në formën optimale. Madje ai shton se Fury ka qenë vetëm në 50 % të formës së tij e, megjithatë, arriti të triumfojë.
“Të jem i sinqertë, Tysoni ka pasur vetëm tri javë e gjysmë për t’u përgatitur për këtë sfidë. Ai ka qenë i shtruar në spital, në Liverpool, për t’u kujdesur për bërrylin dhe nuk stërvitej dot. Brenda katër javësh ai bëri mrekullinë, bëri atë që ju të gjithë e keni parë në ring”, ka thënë John Fury.
“Tysoni nuk ishte në formë për duelin e 9 tetorit, por u përpoqëm të qëndronim pozitivë para sfidës. Kishte shumë probleme fizike dhe për këtë sfidë ai ishte në 50 % të formës. Më herët kaloi edhe koronavirusi, por ia dolëm mbanë”, ka shtuar John Fury.