Babai i Xhakës para lojës Zvicër – Kosovë: Do të jetë një festë, jam babai më krenar në botë
Ragip Xhaka po e pret me padurim dhe me emocione përballjen në mes të Zvicrës dhe Kosovës. Babai i Granit Xhakës thotë se kjo lojë do të jetë një festë për të dyja vendet, duke e pasur parasysh lidhjen dhe afërsinë që e kanë ata.
Xhaka senior i është mirënjohës gjithmonë shtetit zviceran për atë që ia ka dhënë, ndërsa në këmbim, ua ka dhuruar “Helvetikëve” kapiten Xhakën, i cili nesër mbrëma do ta zhvillojë ndeshjen e 100-të dhe jubilare me Zvicrën pikërisht ndaj vendit për të cilin i rrah zemra.
“Do të jetë një festë për të dyja vendet. Unë jam babai më krenar në botë. Graniti mund të japë shumë si kapiten i ekipit kombëtar të Zvicrës. Unë dhe gruaja e ime e dimë shumë mirë se çka i detyrohemi Zvicrës dhe do të jemi gjithmonë mirënjohës ndaj këtij vendi”, ka deklaruar Ragip Xhaka për mediumin zviceran, “Blick”.
Ndër të tjera, ai ka folur edhe për vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar para luftës në Kosovë, kur ishte rrahur, maltertuar dhe burgosur nga regjimi serb. Më pas, pas shumë sakrificave ia doli të përfundonte në shtetin helvetik, ku nisi ta ndërtonte një jetë të re.
Djemtë ju bënë futbollistë, Taulanti luan në Basel dhe Graniti në Arsenal. I pari e zgjodhi Kombëtaren shqiptare e i dyti atë të Zvicrës.
Ragip dhe Eli Xhaka tash janë gjyshër të tre fëmijëve, Taulanti me bashkëshorten Arbnora e ka një fëmijë dhe Graniti me gruan e tij Leonita dy fëmijë.
Kohë më parë, vëllezërit Xhaka ishin takuar në mes vete në “Euro 2016” dhe edhe ky ishte një emocion i papërshkrueshëm për babanë dhe familjen e tyre. Nesër mbrëma familja Xhaka po ashtu e ka një ndeshje speciale, të cilën do të mundohet ta shijojë në maksimum.