Babai mjek në luftë, djali mjek në paqe
Në vitin 1998, ish-mjeku i UÇK-së, Lec Gradica, odën e familjes e ktheu në spital të improvizuar ushtarak. Në të, doktor Leci kuroi plagët e qindra pacientëve të plagosur. Lec Gradica ra heroikisht duke i mjekuar plagët e luftëtarëve në malet e Qyqavicës, ndërsa dy dekada më pas, profesionin e të atit, zgjodhi ta ndjek edhe i biri, Besniku.
Oborrin në të cilin i kaloi vitet e para të jetës, e viziton shpesh.
Por, pamja e tij, nuk është më e njëjta.
Besnik Leci, në vitin 1998, ishte vetëm 4 vjeçar.
Por kujtimet kur në oborrin e shtëpisë në Gradicë të Drenasit, vinin qindra njerëz, i ka ende të freskëta.
“Në atë kohë kam parë shumë fytyra të panjohura. Unë kam qenë më shumë I interesuar tek puna e lojërave me fëmijët e vegjël që kanë qenë këtu, fëmijët e luftëtarëve të ndryshëm ndërsa nga pjesa e zhvillimeve në odë nuk kam pasur ndonjë informacion”, shprehet Besnik Leci, djali i mjekut të luftës.
E rëndësinë e zhvillimeve brenda odes, Besnik Leci, e kuptoi vetëm disa vite më pas.
Babai i tij, Lec Leci, objektin dydhomësh, e kishte kthyer në spitalin e parë ushtarak të Brigadës 114.
E bashkë me gruan infermiere, këtu iu dhanë ndihmë mjekësore qindra të plagosurve në kohën e luftës.
“Babi e kishte krah të djathtë mamin, të dy bashkë u vunë në gatishmëri të UCK-së, po ashtu edhe të popullatës për t’i shëruar shumë të plagosur, po ashtu kishin ndihmën edhe të mjekëve që vinin nga kujdesi tretësor mjekësor dhe vinin t’I kryenin këtu operacionet mjekësore nga vendet e tjera”, thotë Leci.
E oda nuk shërbeu vetëm për operimin e të plagosurve.
Këtu u kryen edhe dhjetëra lindje.
Tani me profesion mjek, Besnik Leci,tregon se sa e vështirë është mjekimi i pacientëve në spitalet e improvizuara e në kushte lufte.
“Veprimtaria e mjekut ushtarak gjatë kohës së luftës ka qenë mjaftë e vështirë, për arsye që është dashur të ketë improvizime të ndryshëm duke filluar nga shtretërit e pacientëve deri tek shtretërit e lindjes për popullatën civile për gratë shtatzëna, po ashtu sallat operative, kushtet higjenike”, tregon doktor Leci.
Mjeku i UCK-së, Lec Gradica, ra duke i shëruar plagët e luftëtarëve në malet e Qyqavicës me 24 shtator të vitit 1998.
Ndërsa i biri, Besniku, thotë se vepra e babait, e bëri që ta ndjek edhe profesionin e tij.
“Kjo ishte arsyeja që unë e zgjodha rrugën e mjekësisë, për shkak të rënies së babit duke i dalë ndihmë pacientëve deri në minutat e fundit të jetës së tij me 24 shtator 1998, me ç’rast u mbyll edhe spitali ushtarak i Gradicës”, shprehet djali i doktorit të luftës.
E së fundmi, kryeministri i vendit, Albin Kurti, njoftoi se spitali ushtarak i Gradicës, iu shtua listës së trashëgimisë kulturore.Teve1.