Baballarët e mirëpresin propozimin për pushim prindëror, kërkohet ndryshimi i Ligjit të Punës
Rrjeti i Grave të Kosovës ka propozuar ndryshim të ligjit të punës, që edhe baballarët të kenë të drejtën e pushimit prindëror. Modeli i propozuar rekomandon që gjashtë muajt e parë të lejes të konsiderohen si leje e lehonisë që u ofrohet nënave. Gjatë kësaj periudhe, baballarët do të kenë të drejtën e një muaji leje të atësisë.
Ky propozim po mirëpritet edhe nga baballarët, të cilët thonë se sidomos në fillimin e lindje, kjo do të ishte ndihmë për nënat.
Endrit Ajvazi, prind, thotë se e përkrahë propozimin e ndryshimin e ligjit që edhe baballarët të përfshihen në pushimin prindëror.
“Mendoj që është mirë pse jo sikur të gjitha vendet evropiane, ia vlen me qenë edhe te ne ky ligj. Vështirë e ka pasur nusja se unë jo, unë jam vet ndërmarrës, kam biznes timin dhe nuk më ka penguar kjo çështje, nuk ka qenë problem i madh për mua por për të tjerët besoj që është mirë me qenë pse jo. Unë e përkrahu për vete, pse jo”, ka thënë Ajvazi.
Ndërkaq një nënë, Antigona Berisha foli se këtë çështje e sheh të arsyeshme, sidomos në fillimet e rritjes së fëmijëve.
“E shoh të arsyeshme që duhet me pasur edhe burrat pushim. Në fillim i nevojitet një gruaje që ta ketë edhe burrin pranë, jam pro për ta pasur pushim edhe burrat”, tha ajo.
Kurse, Adnan Canolli tha se nuk e përkrahë këtë propozim sepse nëse edhe ai nuk punon, familja mbete pa të ardhura dhe në këtë krizë është e panevojshme.
“Kisha menduar që mos të bëhet ajo, nuk është e nevojshme. Gratë e kanë punën e tyre, burrat punën e tyre, nëse edhe ne pushojmë, atëherë nuk ka të ardhura askund. Nëse e bëjmë shumica edhe pakica do të shkojë me shumicën por për mendimin tim kategorish jo. Janë ato vështirësitë por ia del disi, çdo femër është e fort dhe ia del. Gratë po pushojnë në shtëpi dhe burrat duhet të punojnë dhe në këtë krizë të sotme nuk është e nevojshme një të pushojë se jo me pushuar të gjithë. Kam një pagë në shtëpi e nëse edhe unë pushojë me gruan, atëherë kush do të më mbajë mua, qeveria apo kush”, përfundoi Canolli.
Forumi Ekonomik i Grave, si një konsorcium organizatash, ka propozuar një model për Ligjin e Punës, që do t’i përshtatej më mirë nevojave të nënave, baballarëve dhe fëmijëve, duke balancuar më mirë barrën e kompensimit midis qeverisë dhe punëdhënësve.
Ky model shpërndan kujdesin e fëmijëve në mënyrë më të barabartë midis prindërve dhe përmirëson dispozitat aktuale që po kontribuojnë në diskriminim gjatë punësimit, siç mund të shihet në hulumtimin e mëhershëm të RrGK-së. Për më tepër do t’iu mundësojë burrave të kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre.
Drejtorja ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova tha se “është koha që të bashkohemi të gjithë dhe të shtyjmë përpara aprovimin e këtij ligji“.
Sa i përket pushimi i lehonisë edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka dhënë rekomandim që ky pushim të mbulohet 100% nga shteti, për 12 muaj. Pastaj, fillimisht në periudhën prej 30 ditësh para lindjes së fëmijës femra të mund të marrë pushimin e lindjes dhe kjo periudhe 30 ditëshe të mbulohet nga biznesi 100% të pagës aktuale, por po ashtu të lihet opsion që nëna në rast se dëshiron mund të vazhdojë pushimin edhe për 3 muaj të tjerë, në këto raste pushimi të jetë pa pagesë.
Në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë thonë se kanë marrë ankesa për ligjin aktual dhe kanë kërkuar që ky ligj të ndryshohet, për vet faktin se dispozitat e tij bëjnë që femrat të jenë të diskriminuara, duke detyruar që bizneset private të fillojnë të jenë më selektive gjatë procesit të rekrutimit, pasi që kjo po mbetet barrë e rëndë për bizneset.