BAC, PUSHO I QETË!

26 dhjetor 2021 | 20:31

Shkruan Gazmend Çitaku

Nënë Ferideja i kishte thënë: ”Ti Baro ke lindur në vitin 1933, në kohën e manave. Si sot më kujtohet ishin shkundur manat dhe ti atë natë linde.

Të nesërmen shkoi babai yt, Himoja, për me të regjistru në Meqeme. Aty merret vesh u bë gabimi, hoxha në vend se ta shenojë muajin e duhur ai të regjistroi në mars”.

Kur është nisë për në shkollë, gjyshja është ulur shkallave dhe i ka hedhur ujë duke e përcjell nipin e vet (Bahriun) me këto fjalë: ”Hajt, ishalla të shkon shkolla si ky uji!”, dhe Bahriu plotëson dëshirën e gjyshes së vet si dhe mësimdhënësve Angjelinës, Persës dhe mësues Hasanit, me titujt universitar që ka marrë, pastaj me qindra artikuj, vështrime dhe studime shkencore të botuara nëpër revista të shumta anëmbanë shqiptarisë si dhe me dhjetëra libra të botuara të cilat kanë pasuruar kulturën tonë kombëtare.

Që në moshë të re Bahriu has në problemet e para me pushtetin. Ja si e kujton ai konfliktin e parë që e shkaktoi pa dashur. Kishte bërë shumë nxehtë dhe shkova në Plazh që të lahem në detë. Aty takova shokun e klasësn Predragun djalin e mesuese Angjelinës. Së bashku luajtëm me top dhe kur vendosëm të pushojmë shkuam që të pimë ujë në kroin e plazhit. Aty edhe pse ishte e vendosur tabela “Ndalohet larja në krua, uji është vetëm për pije”, një burrë lahej dhe nuk çante kokën për radhën që kishte shkaktuar. Pasi që pritëm një copë herë deri sa burri mbaroi larjen Predragu ia tërhoqi vërejtjen për keqpërdorimin e ujit, ai filloi të shkaktoj problem dhe të kërcënonte shokun e pasi që unë i dola zot shokut ai filloi edhe mua të më kërcënoj duke më kapur për gjoksi dhe duke më pyetur se a e di se kush ishte ai, unë as një as dy por ia rras një grusht turinjve dhe e hedh në tokë. Aty afrohet një ushtar dhe plazhistët fillojnë të mblidhen. Ne kuptuam se diçka nuk shkonte dhe ia dham vrapit e ikëm në detë. Shumë shpejt arriti policia dhe filluan të na kërkojnë…. Atë natë e kalova në Pinjesh. Policia më kërkonte në shtëpi. Të nesërmen u paraqita në polici me dajë Muharrem Ishmin i cili shumë më ndihmoi që të dalë i pandëshkuar nga policia. Vetëm atje kuptuam se unë kishta nokautuar një Gjeneral të ushtrisë jugosllave.

Bahri Brisku shkollën fillore e ka mbaru në Ulqin, Normalen në Shkup, Fakultetin Filozofik po në Shkup. Në vitin 1974-76 vazhdon studimet postdiplomike ku edhe merr titullin Magjistër e më vonë edhe titullin Doktor i shkencave Filologjike në Prishtinë. Ka botuar mbi dhjetë libra dhe me qindra artikuj studimorë e gazetar. Prej librave më të çmuarat janë: “Gjurmime shqiptare”, “Lirika popullore shqiptare në trekëndëshin Ulqin-Shesatn-Bregu i Bunës”, “Këngë popullore të shqiptarëvee në Mal të Zi”, “Deti detarët në letërsinë popullore shqiptare”, “Kusarët dhe detarët shqiptarë” etj. Ai është një intelektual i vërtetë, patriot, gazetar, mbledhës i folklorit, studiues, kritik letrar e mbi të gjitha atdhetar dhe ulqinak 24 karat.

Gjatë gjithë jetës ishte i përndjekur nga njerëzit e sigurimit andaj edhe shpeshherë bashkëqytetarët e tij frigoheshin t’i afroheshin. Një kohë të gjatë sistemohet në Prishtinë ku punon gazetar në “Rilindje” dhe po në këtë kohë studentët ulqinakë persekutoheshin nga pushteti nëse takonin Bahri Briskun. Për veprimtarinë e tij patriotike disa herë burgoset dhe vuan dënimet në burgjet më famëkeqe të ish Jugosllavisë. Por, kjo kurrë nuk e theu dhe Bahriun e bënte edhe më të vendosur për çështjen kombëtare andaj edhe mbanë epitetin “Mandela i Ulqinit”.

Në Ulqin pushtetarët shqetësoheshin sa herë që ai vinte këtu. Bahriu me shokët ulqinakë me rastin e mbylljes së gjimnazit në gjuhën shqipe kanë hedhë afishe në vitin 1954, pastaj kanë mbrojtur falmurat shqiptar të vendosur në qytet më 30 prill 1968, ka organizuar demonstratat e viti 1969, në Ulqin dasma e parë me flamur kombëtar ka qenë ajo e Palokë Shkrelit ku Bahriu në veturën e tij nga Ulqini e deri në Kojë të Malësisë e ka valëvitur flamuri shqiptar etj., etj. Këto janë hapa të vogla për shqiptarinë por të mëdha për Ulqinin e ndarë nga trugu. Bahri Brisku është një ndër themeluesit e Partisë së Bashkimit Kombëtar të Shqiptarëve në Kosovë (1991) dhe në këtë moment më vie në mendje vlerësimi i Hajrullah Koliqit për Bahriun me rastin e 80 vjetorit të lindjes ku thotë: “Bahriu nuk e shpërdoroj emrin e Atdheut, por u njësua me të. Nuk kishte as nuk ka asnjë paragjykim ndaj të tjerëve, por as kompleksin e inferioritetit ndaj vetes e kombit të tij. Në personalitetin e tij shkrihen natyrshëm dega e ullirit të paqes edhe deti i dallgëve.”

Tharmi i fuqishëm i atdhedashurisë, potenciali intelektual kombëtar si dhe shtytja nga i madhi Anton Çetta ka bërë që sot nga dr Bahri Brisku të kemi vlera të çmueshme nga tradita gojore e Ulqinit dhe gjithë shqiptarëve nga Mali i Zi. Sot kemi të shënuara legjendat që janë treguar dikur, kemi vlerat e traditës gojore këngët e detit, punës, ninullat, këngët e dasmës, vajtimet etj., të dhënat për ullishtën dhe mullijt e ullirit në Ulqin e mbi të gjitha kemi të dhënat për detarinë ulqinake.

Dr Bahri Brisku ka qenë shumë gazmor. Gjithmonë i qeshur dhe i gatshëm për të të ndihmuar. Unë me Bahriun kemi pasë një bashkëpunim shumë korrekt kurse ai kishte shumë dëshirë që të rrinte me babanë tim të ndjerë ku bisedonin tema të ndryshme që nga ato letrare, historike e deri te ato kombëtare e patriotike. Sot me krenari në muzeun tim privat kam të ekspozuar makinën e shkrimit të Bahri Briskut si dhe materialin origjinal të temës së magjstraturës. Këto Bahriu mi dhuroi si vizionar që ishte duke dashtë që muzeu im të pasurohet me këto vlera të çmueshme.

Bahri Brisku na la më 11 dhjetor 2021 dhe u përcoll për në banesën e fundit nga rrethi i ngushtë i familjarëve dhe miqve. Lavdi jetës dhe veprës së dr.Bahri Briskut. Emri i tij do mbetet i skalitur përgjithmonë si intelektual dhe patriot i mirëfilltë i cili nuk iu tremb kurrë sfidave që i solli lufta për kauzën kombëtare.

Andaj me të drejtë Hajrullah Koliqi konkludon “Boshti i ngritjes së dr. Bahri Briskut është vendlindja e tij, Ulqini, ndërsa ideali dhe interesat e tij lidhen natyrshëm me kombin, për të cilin shkriu një jetë të tërë.”

Lavdi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona kanë vdekur në një aksident trafiku në fshatin…