Baca Adem Demaçi ka kërkuar aq sa na ka takuar, asgjë më tepër!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Rambuje, si pretekst për eliminim politik të Adem Demaçit: Thuaja të gjithë politikanët në Kosovë dhe jo vetëm më Kosovë, si nyje të kërthizës së suksesit politikë e konsiderojnë faktin se kanë kontribuar dhe e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë të cilën, për fatin tonë të mirë, Serbia nuk e kishte nënshkruar dhe, për pasojë ishin bombardimet e NATO-s që e detyruan Serbinë të tërhiqej nga Kosova duke mos e trajtuar si palë humbëse për faktin se ushtria dhe policia serbe, bashkë me paramilitarët u tërhoqën me tërë arsenalin e armatimit me të cilin kishin kryer krime të tmerrshme.
Gjatë tërheqjes e që u pajtuan me Marrëveshjen Tekniko – Ushtarake të Kumanovës, po këto forca vrisnin civilë shqiptarë, morën si pengje lufte mijëra shqiptarë, dogjën me qindra-mijëra shtëpi dhe objekte tjera. Në të njëjtën kohë plaçkitën dhe morën me vete çdo gjë që kishte vlerë.
Për të gjithë ata që pranuan të shkojnë në Rambuje, pa vendosur asnjë kusht u sigurua një vend në Kështjellën mesjetare të Rambujesë në Francë ndërsa për kundërshtarët u sigurua një anatemim i pashembullt i shoqëruar me linçim publik duke vënë në lojë edhe personalitetet kombëtare shqiptare dhe jugosllave siç ishte rasti i Ismail Kadaresë dhe Veton Surroit.
Ismail Kadare pati nxjerrë shumë zjarr dhe vrerë në përpjekje ta nxjerrë nga loja Bacën Adem Demaçi, si kundërshtar të amerikanëve dhe aleatëve kurse, Veton Surroi, në faqen e parë të gazetës personale, nën foton e Bacës Adem e vuri titullin: “Adem Demaçi kundër krejt botës..”. Hajt, ta zëmë se Ismail Kadaresë nuk mund t’ia falim por, Veton Surroit për shkak të kaluarës patriotike, brez pas brezi domosdoshmërisht nuk mund ta kundërshtojmë për vrasjen publike mediale që ia ka bërë bacës Adem Demaçi.
Kryeministri Kurti ka qenë pjesë aktive e bisedimeve për Rambujenë, shoqërues dhe përkthyes i Adem Demaçit në takimin me Robin Kuk në Shkup në të cilin, ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Robin Kuk, për ata që pranonin kushtet ua ndante biletat për Konferencën e Rambujesë ndërsa për ata që e kundërshtonin, nuk ua siguronte as udhëtimin e kthimit, nga Shkupi për në Kosovë. Albin Kurti ishte dëshmitar okular i bisedës Kuk – Demaçi dhe përgjigjen që ia dha Baca duke refuzuar 8 pika të panegociueshme nga gjithsej 12 ndër të cilat e para ishte se: “garantohet integriteti territorial i mbetjes së federatës jugosllave dhe sovraniteti …”.
Kryeministri Kurti e di këtë shumë mirë prandaj edhe e refuzoi Rambujenë të cilën e pranuan shumica e bërthamës studentore që pastaj u veshën me pushtet përjashtuar këtu Muhamet Mavrajn që kishte qëndrim jashtëzakonisht korrekt.
Përkundër kundërshtimit të Marrëveshjes së Rambujesë, Baca Adem Demaçi çdo ditë ka biseduar me telefon satelitor me anëtarë të delegacionit të Kosovës të krahut të luftës duke sugjeruar që të mos nënshkruhej asnjë Marrëveshje që mbështetej në 12 pikat e Robin Kuk. Për çdo ditë kam qenë në banesën e Bacës dhe jam dëshmitar, ende i gjallë për bisedat e Bacës me Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin.
Me Rugovën, Qosjen dhe Surroin nuk e kam dëgjuar asnjëherë të ketë biseduar. Çdonjëri që e ka njohur Bacën Adem Demaçi duhet ta ketë pasur të qartë se Marrëveshjen e Rambujesë, me ato 12 pika dhe 8 të panegociueshme nuk do ta pranonte me asnjë kusht dhe me asnjë çmim.
Janë përralla dhe trillime të ulëta se Baca Adem ia ka mbyllur telefonin sekretares Ollbrajt por se këtë vazhdimisht e kanë përdorur si armë kundër Bacës. E di se Marrëveshjen e Rambujesë nuk e kanë pranuar Baca Adem Demaçi, Skender Kastrati, Albin Kurti dhe Fexhrije Shala e që kanë dhënë dorëheqje.
Baca Adem ishte shumë realist për Rambujenë: Kundërshtimi i Bacës Adem e forcoi pakëz pozicionin negociues të Kosovës anipse në delegacion kishte mbetje komuniste dhe titiste që do të pranonin çdo marrëveshje prandaj aq shumë e sulmonin Bacën. Merreni me mend po të pajtohej Baca Adem me këtë Marrëveshje dhe po të mos të refuzonte Serbia nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje, sot Kosova edhe faktikisht do të mbetej pjesë e Serbisë, me të drejtat e garantuara nga popat e Shën Exhidios që garantonin autonomi kulturore.
Vlerësimi i gabuar i Serbisë dhe verbëria shoviniste e Millosheviqit që mendoi se njëherë e mirë dhe përfundimisht do ta zgjidhte çështjen shqiptare duke refuzuar nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje e prodhoi një situatë të re e që përfundoi me një pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën që nuk e përjashtoi praninë dhe ndikimin e Serbisë në Kosovë, përkundrazi e shndërroi Serbinë në partner të bashkësisë ndërkombëtare për proceset vendimmarrëse që kanë të bëjnë me Kosovën.
Albin Kurti ka shumë informata për atë kohë mirëpo posti i amshueshëm i vë disa kufizime, objektive dhe subjektive që, përmes djegies dhe tretjes si qiriri i Naim Frashërit të ndriçojë një pjesë të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar dhe të Kosovës. Do të ishte e tmerrshme dhe e pakthyeshme situata për Kosovën po të realizohej 12 pikëshi i Robin Kuk!
Në këtë rast shqiptarët dhe Kosova do ta kishte fatin e palestinezëve dhe kurdëve që bëjnë luftë të gjatë, me shumë sakrifica për liri dhe shtet por se, as që e arritën dhe, me gjasë ashtu do të mbetet edhe në të ardhmen. Prandaj, mos u mburrni se e kini nënshkruar një marrëveshje, përmbajtësisht të dëmshme dhe të pariparueshme për Kosovën po të nënshkruhej edhe nga Serbia që me garanci ndërkombëtare do ta legjitimonte mbetjen e Kosovës nën Serbi por, pranonte gabimin historik që e bëri Millosheviqi dhe Serbia me mosnënshkrimin e kësaj marrëveshje që, në fakt ishte dhurata e Zotit për Serbinë.
Baca Adem Demaçi e ka vlerësuar drejt situatën rreh dhe për Rambujenë prandaj e zgjodhi rrugën e Vetëmohimit duke u pushkatuar pamëshirshëm nga ata që asnjëherë nuk patën problem me Jugosllavinë dhe Serbinë e që ishin të gatshëm të nënshkruanin çdo marrëveshje, pa e lexuar fare përmbajtjen.
Shqiponjat fluturojnë lartë, mbi majat e maleve më të larta kurse ushujzat dhe bretkosat jetojnë dhe mbijetojnë vetëm në moçale.
Largpamësia politike, njerëzore dhe kombëtare e Bacës Adem Demaçi as sot, ndonëse kuptohet, nuk pranohet nga ushujzat dhe “Gjarprinjtë e Gjakut” që gjenetikisht thithnin dhe thithin gjakun e shqiptarëve që luftuan dhe sakrifikuan çdo gjë për liri, shtet dha bashkim kombëtar. Jo vetëm e dëshirueshme por edhe e arritshme. Mund të ketë vonim por nuk do të ketë shpëtim