BACA ADEM DEMAÇI VDIQ I QETË
Selatin Novosella
Derisa po e ngushëlloja djalin e Bacë Adem Demaçit, Shqiptarin, për vdekjen e babait, dhjetë minuta pas pushimit të zemrës së madhe të Bacit, ai më tha: “Baba vdiq i qetë!” Të njëjtat fjalë i tha edhe në mbledhjen përkujtimore, në Kuvendin e Kosovës, më 27 korrik 2018. Gjatë vizitave të panumërta për kryeshëndosh, disa herë e përsëriti Shqiptari se “Baba vdiq i qetë!”
1.
Si të mos vdiste Bacë Adem Demaçi i qetë kur, në moshën 20-vjeçare, në vitin 1956, kishte folur dhe shkruar kundër dy zezonave që po përjetonte Kosova në vitet e ’50-ta, aksionin kriminal për grumbullimin e armëve prej shqiptarëve dhe përndjekjen e shqiptarëve, me dhunë, për në Turqi. I cili, gjatë gjykimit të parë, në vitin 1958, para Gjyqit të Qarkut, në Prishtinë, deklaronte: “Nëse Serbia dhe Jugosllavia vazhdojnë me këtë politikë kundër shqiptarëve nuk do të ketë paqe në Jugosllavi. Nëse Serbia vazhdon me këtë politikë, do të bëhet shkaktare e shkatërrimit të krejt Jugosllavisë dhe, në fund, do të mbetet edhe pa Kosovën”.
Kush e kishte këtë mendje historike-paravajtëse si Baca Adem? Zhvillimet e më vonshme vërtetuan, plotësisht, këtë mendim lapidar të tij. Nuk pati paqe në Jugosllavi. U shkatërrua Jugosllavia dhe Serbia mbeti pa Kosovën.
2.
Si të mos vdiste Bacë Adem Demaçi i qetë kur, në vitin 1963, në kushte kurrëfare, formoi organizatën e njohur atdhetare Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, (LRBSH) së bashku me Fali Greiçevcin, Zeqir Gërvallën, Azem Bqirin, Ahmet Haxhiun etj. Neni i parë i Statutit të kësaj organizate thoshte: Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banuara me shumicë prej shqiptarëve të cilët gjenden ende nën administrimin e Jugosllavisë, d.m.th., qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është çlirimi i krahinave shqiptare, të aneksuara prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyre krahinave me nënën e vet Shqipërinë. LRBSH-ja, për një kohë të shkurtë, formoi Komitetet në Prishtinë, në Mitrovicë, në Pejë, në Gjakovë, në Gjilan, në Shkup dhe në Stamboll. Pas shkrimit të Programit dhe Statutit të LRBSH-së, nga Adem Demaçi dhe Ramadan Shala, në Pejë, në shkurt 1963; pas ngritjes së qindra flamujve kombëtar në shumë qytete të Kosovës; pas shkrimit të parullave në shumë vendbanimi të Kosovës “DUAM LIRI!”, “RROFTË SHQIPËRIA!”, “POSHTË TITO!”, “RROFTË LRBSH-ja!” etj., dekonspirohet kjo organizatë dhe pasojnë burgosjet masovike të anëtarëve të saj. Adem Demaçi, në gjykimin e dytë, në vitin 1964, dënohet së bashku me Sabit Ratkocerin, Hazir Shalën, Selahudin Dacin, Azem Beqarin, Abdyl Lahun, Ahmet Haxhiun, Xhefer Mahmutxhikun, Dibran Bajraktatrin, Sabri Novosellën, Tefik Sahitin dhe Nijazi Strajën. Baci gjykohet me 15 vite burg të rëndë.
3.
Si të mos vdiste Bacë Adem Demaçi i qetë kur, pas lirimit nga burgu i dytë, më 8 qershor 1974, ishte shndërrua në simbol të bashkimit kombëtar. Andaj, Lidhja e Komunistëve të Kosovës dhe Serbisë si dhe UDB-ja nuk e ndienin veten të sigurt po të mos ishte ai, përsëri, prapa grilave. Vetëm kështu ata mund ta ndalnin maratonin e lirisë së Kosovës, Adem Demaçin. Ai burgoset, herën e tretë, më 6 tetor 1975, së bashku edhe me 18 veprimtarë të tjerë: Skënder Kastratin, Hetem Bajramin, Hasan Dërmakun, Osman Dumoshin, Rexhep Malën, Selatin Novosellën, Ilaz Pirevën, Fatmir Salihun, Xhavit Dërmakun, Sherif Masuricën, Sami Dërmakun, Zijadin Spahiun, Isa Kastratin, Ahmet Hotin, Nijza Korqën, Irfan Shaqirun, Ilmi Ramadanin dhe Nazim Shurdhanin.
Deri sa herën e parë dhe të dytë Baca Adem ishte arrestuar për veprimtari atdhetare–çlirimtare, gjykimi i tretë ishte, kryekreje, proces i montuar politikë, ashtu siç dinin të organizonin vetëm sistemet fashiste, diktatoriale dhe komuniste. Kësaj radhe synohej të burgosej ideja e Adem Demaçit, vizioni politik i Adem Demaçit, misioni historike i Adem Demaçit. Koha do të dëshmoj të kundërtën. Siç thoshte një gazetë kroate e kohës: “Pas burgosjes së tretë të Adem Demaçit nga Serbia dhe Jugosllavia, ai do të jetë udhëheqës i dyfishtë për shqiptarët e Kosovës dhe Jugosllavisë: lider organizativ dhe shpirtërorë”.
Në fund të këtij gjykimi, në Gjyqin e Qarkut të Prishtinës, në janar të vitit 1976, ai do të deklarojë në fjalën përfundimtare para gjyqit: Kësaj radhe nuk kam arritur të veproj kundër pushtetit serb dhe jugosllav. Shumicën e këtyre djemve, me të cilët po na gjykoni së bashku, nuk i njoh. Por, sa i përket bindjeve të mia politike, po ju them se: deri sa Kosova dhe viset tjera shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia nuk çlirohen dhe nuk bashkohen me atdheun tonë – Shqipërinë nuk do të ketë paqe në rajon!
Përsëri dënimi maksimal, 15 vite burg të rëndë, i rezervuar për armikun numër një të pushtetit jugosllav.
4.
Si të mos vdiste Bacë Adem Demaçi i qetë kur, pas lirimit të tretë nga burgu, në prill të vitit 1990, në pyetjen e një gazetari të huaj – si po e gjente Kosovën pas 15 viteve, deklaronte: Kosovën po e gjejë të tërën në këmbë. Po e gjej ashtu siç e kam ëndërrua tërë jetën!
Në kohën kur po formoheshin shumë parti politike, dhe kur i propozojnë të formonte edhe ai parti, iu përgjigjet: “Këto parti politike që i kemi janë të mjaftueshme për një popull rreth 2 milion. Dhe, çka është më e rëndësishme, po të formojë porti dikush do të vinte në partinë time dhe, kështu, do të dobësoheshim. Andaj, vetëm vazhdoni me veprimtarinë tuaj e mos u ndalni. Kurrë mos harroni: Serbia e ka shumë seriozisht, dhe ne duhet të sillemi seriozisht në rrethanat e reja. Lëvizja paqësore, vazhdonte Baca Adem, është përparësi e jona. Por, kjo lëvizje duhet të jetë e organizuar mirë, e koordinuar fuqishëm, të jetë lëvizje paqësore aktive, e jo të presim se do të ndodhë mrekullia”.
Dilemat e shtruara nga individë dhe liderë të partive të shumta, gjatë viteve të ’90-ta, se nuk duhet të jepet mundësia të angazhoheshin në jetën politike ish-udhëheqësve të sistemit, qofshin ata të strukturave partiake apo qeveritare, Adem Demaçi, deklaronte:
Të gjithë ata që duan ta japin ndihmesën e tyre për çlirimin e Kosovës duhet t’iu jepet mundësia. Edhe Ilijaz Kurteshit, edhe Mahmut Bakallit, edhe Azem Vllasit. Duhet të jemi së bashku. Aq më tepër vazhdonte Adem Demaçi – këta, sot, nuk po lypin të jenë udhëheqës, të jenë në krye të partive politike, as të na i zënë këto karrika të shkreta që i kemi zënë!
Kështu, Baca Adem, po dëshmonte edhe një herë, për të satën herë, se mbi çdo gjë e kishte lirinë e Kosovës.
5.
Si të mos vdiste Bacë Adem Demaçi i qetë kur, më 17 janar 1994, duke shkruar sesi do të duhej të ishte Heroi i kohës sonë, thoshte: – Heroi i sotëm nuk heziton që ta verë veten në provat më të vështira të jetës dhe i njeh të tjerët gjatë krijimeve krijues.
– Heroi i sotëm u reshtet konfrontimeve me të tjerët, mirëpo nuk ndahet nga rruga për të cilën është i bindur se është e drejtë.
– Heroi i sotëm e ruan shëndetin për të krijuar, krijon për të ndërtuar rrugën e lumturisë së përgjithshme.
– Heroi i sotëm përbuzë pozat dhe nuk fyhet kur e përbuzin.
– Heroi i sotëm bashkëpunon me të gjithë ata që janë seriozë dhe nuk janë prekur nga ambicie të prishura.
– Heroi i sotëm nuk manipulon me të tjerët, por as nuk lejon që të manipulohet nga të tjerët.
– Heroi i sotëm nuk dëshiron që ta shesë lirinë e vet për kurrfarë postesh e kolltukësh.
– Heroi i sotëm nuk e gënjen popullin e vet, sepse beson që edhe populli nuk ka nevojë për heronj të rrejshëm.
Pa dyshim, ky është autoportreti më besnik që ka bërë Heroi Adem Demaçi, qoftë edhe kundër dëshirës së tij.
6.
Si të mos vdiste Bacë Adem Demaçi i qetë kur, edhe një herë, me 99 plagë në trup dhe në shpirt, si Gjergje Elez Alia i legjendave, po i përgjigjej burisë së luftës, për të zënë vendin ku po ia caktonte momenti historik i Kosovës – si Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ideatori dhe projektuesi i lirisë së Kosovës, Bacë Ademi, herë ishte në Zyrën e tij në qendër të Prishtinës, herë ishte në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, herë ishte në zonat Operative të luftës, herë ishte në takime me gazetarë, ambasadorë dhe diplomatë nga të gjitha anët e botës.
Ai, duke qenë gjithnjë vetvetja, do të japë këshilla, vërejtje, propozime dhe ide sesi të shtyheshin proceset politike dhe ushtarake më tutje, duke mos u kuptua, ndonjëherë, drejtë sa duhej. Ai, si gjithnjë i veçantë dhe i papërsëritshëm, nuk do të pajtohet me disa qëndrime as të diplomatit Dinzbir, as të ambasadorit Hill, as të Holbrukut, as edhe të zonjës së madhe Olbrajt. Holbruku, me një rast, kishte deklaruar, pas një takime ne Bacën Adem, se: me të gjithë ata me të cilët po bisedojmë në Kosovë po mirremi vesh disi, vetëm me Adem Demaçin assesi nuk mund të kuptohemi!
Ndërsa Sekretarja e Shtetit, Zonja Olbrajt, në Kujtimet e saja, thotë: – Demaçi ishte një nacionalist i vjetër kosovar, njëri prej atyre që i bënin presion Thaçit të ruante qëndrimin më të ashpër të mundshëm…
Demaçi më tha: – Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për të qenë të lirë.
Unë iu përgjigja: – Propozimi im nuk do të thotë që të heqin dorë nga ëndrra juaj. Mos e lini t’ju ikë nga dora ky shans për paqe. Thuani Thaçit se e mbështetni atë.
Demaçi ma priti: – Është e pamundur.
E mbylla telefonin me një ndjenjë pështirosjeje. Kjo bisedë telefonike kishte qenë për mua një nga bisedat më rrëqethëse që kisha pasur ndonjëherë në jetën time!
Edhe Kadare, duke vërejtur se Adem Demaçi këmbëngulte në pavarësinë e plotë të Kosovë, në lirinë e Kosovës, në Republikën e Kosovës, deklaronte, se: Adem Demaçi është kundër krejt botës!
E kush kishte të drejtë më shumë sesa Baca që, nëse nuk vendosej drejtë për fatin e ardhshëm të Kosovës, të ishte, nëse ishte nevoja, edhe kundër krejt botës!?
7.
Si të mos vdiste Bacë Ademi Demaçi i qetë kur, në Kosovën e lirë, pas vitit 1999, për të cilën kishte bërë aq shumë, për të cilën ai vetëm nuk kishte vdekur dhe ringjallur, asnjëherë nuk u shty me bërryla për të zënë një pozitë në institucionet e Republikës së Kosovës. Asnjëherë nuk u ankua, asnjëherë nuk i ekspozoi plagët e tija, asnjëherë nuk kërkoi të bëheshim dëshmitarë të atyre plagëve.
Kosova kishte, deri sot, disa presidentë, disa kryetarë të parlamentit, disa kryetar të qeverisë. Po të ishte Baca Adem në njërin nga këto poste: mund të ishte president i mirë, kryetar i parlamenti i mirë, kryetar qeverie i mirë, por nuk do të ishte Adem Demaçi, i cili, me shembullin e tij jetësor, ishte, dhe do të mbetet, personalitet unik dhe i papërsëritshëm në historinë e Kosovës.
8.
Si të mos vdiste Bacë Adem Demaçi i qetë kur, ndonëse i kishte vuajtur 28 vite burg, prej të cilave 6 vite në qeli, në vetmi të plotë, në burgjet e pushtuesve të shqiptarëve, ndonëse me kushte kurrfarë, ai la pas vetes të botuara: shtatë romane, një përmbledhje me tregime, një dramë historike dhe një poemë. Ndërsa, të pabotuara në libra të veçanta, la shumë më shumë se këto, të përfshira në qindra analiza, kumtesa, intervista, recensione, fjalime, debate, reagime, deklarate, letra etj.
9.
Si të mos vdiste Baca Adem Demaçi i qetë kur, personalitete të shumta, kombëtare dhe ndërkombëtare, e vlerësuan me fjalët më të zgjedhura, në mesin e të cilëve, edhe: Enver Hoxha: Në burgjet e Jugosllavisë vuajnë persekutimet më të egra shkrimtari patriot kosovar, Adem Demaçi dhe qindra të tjerë, të cilët, bashkë me popullin shqiptar, nuk i janë nënshtruar dhe nuk do t’i nënshtrohen kurrë zgjedhës jugosllave.
Nermin Vlora: Ndonëse Adem Demaçi ishte 28 vjet në burg, ai e ndiente veten të lirë, megjithëse i lidhur në zinxhir. Shpirti i tij kishte mësuar të dërgonte mendimin e tij njerëzve të lirë, dashamirës të mosdhunës e të paqes.
Imzot Nikë Prelaj: A e keni parë ju Krishtin ndonjëherë? Ja, ky burrë, Adem Demaçi, është Krishti vet! Çka ka bërë Krishti më tepër se ky burrë?
Ibrahim Rugova: Adem Demaçi është letrar i harmonisë shqiptare e njerëzore, humanist i madh. Sot, gati të gjithë, jemi bërë protagonistë të romanit të tij “Gjarpinjtë e gjakut”.
Ismail Kadare: Ju, i dashur Adem, jeni shembull për të gjithë intelektualët shqiptarë e evropian. Ju jeni shembull i lirisë, për të cilën sot flitet aq shumë, e për të cilën, për fat të keq, bëhet aq pak.
Rexhep Qosja: Adem Demaçin e krahasojnë me liderin jugafrikan Nelson Mendelen. Ky krahasim nuk më pëlqen, sepse është i padrejtë për Adem Demaçin.
Kadri Veseli: Bacës Adem Demaçi çmimi më lartë Hero i Kosovës iu dha, formalisht, në vitin 2010, por, ky titull i takoi që nga dita e parë e arrestimit të tij, më 19 nëntor 1958. Ai, që nga kjo ditë, vijon të jetë Hero i Kosovës. I tillë do të jetë deri sa të ekzistojë Kosova!
Medlin Olbrajt: Adem Demaçi ishte një nacionalist i vjetër kosovar. Demaçi më tha – ne i çmojmë përpjekjet tuaja, por nuk duam të nxitohemi. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për të qenë të lirë!
Riçard Holbruk: E di mirë që Adem Demaçi është përfaqësues i UÇK-së në Prishtinë, por as unë, as ambasadori Hill nuk mund të merremi vesh me të për asgjë. Jeni të njoftuar se sa kam provuar të bëjë punë me të, por me Demaçin, thënë troç, ne nuk mund të merremi vesh!
Kofi Anan: Shqiptarët duhet të jenë krenarë me një njeri, siç është Adem Demaçi.
10.
Si të mos vdiste Bacë Adem Demaçi i qetë kur, shumë institucione ndërkombëtare dhe kombëtare, e nderuan duke i ndarë: Çmime, Dekorata, Shpërblime dhe Mirënjohje të panumërta, në mesin e të cilave, edhe:
– Çmimi “SAHAROV” nga Parlamenti Evropian;
– Mirënjohje “DIPLOMË NDERI” nga Asociacioni Ndërkombëtar i Edukatorëve për Paqe Botërore;
– Çmimi “LIZEL DHE LIO AITINBERG” nga Universiteti i Osllos;
– Dekorata “NDERI I KOMBIT” nga Presidenti i Shqipërisë;
– Dekorata “HERO I KOSOVËS” nga Presidenti i Kosovës;
– Titulli “DOKTOR HONORIS CAUSA” nga Universiteti i Prishtinës;
– Titulli “DOKTOR HONORIS CAUSA” nga Universiteti i Tetovës;
– Emërtimi i një sheshi, në Prishtinë, “SHESHI ADEM DEMAÇI” nga komuna e Prishtinës
– Dekorata “QYTETAR NDERI I TIRANËS” nga Bashkia e Tiranës.
Si të mos vdiste Bacë Adem Demaçi i qetë, kur, në ditët e fundit të jetës, atëherë kur po e rëndonte sëmundja, kur në disa çaste edhe mund t’i ngatërroheshin mendimet, kur edhe mund të mos e njihte ndonjë mik e bashkëveprimtarë, kur edhe nuk mund të shqiptonte qartë ndonjë fjalë, megjithatë, dy fjalë i përsëriste rregullisht, i shqiptonte mirë, qartë dhe me zë të lartë: KOMBI dhe ATDHEU!