Baca Rifat sot feston ditëlindjen e 75-të, kështu e uron nipi
Vëllai i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, baca Rifat ka mbushur 75 vjet.
Baca Rifat është uruar nga nipi i tij, Bekim Jashari. Ai ka thënë se kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm për familjen sidomos gjatë luftës çlirimtare.
“Mixha Rifat sot është shumë i lumtur që familja jonë po ripërtërihet, shtëpia e babës Shaban po mbushet me nipa e stërnipa, që të gjithë duke u rritur nën frymën e heroizmit të familjes dhe duke kontribuar në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit tonë, të ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve e martirëve të lirisë”, ka shkruar Jashari në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Bekim Jasharit:
Sot mixha ynë i dashur, njeriu që për familjen tonë është gjyshi, babai,mixha, vëllai e shoku më i mirë.
Mixha Rifat sot mbushi 75 vite jetë, 75 vite punë, sfida, mërzi por edhe krenari, burrëri e trimëri.
Kontributi i tij për familjen tonë është i jashtëzakonshëm, si para luftës duke ndihmuar familjen tonë të madhe nga puna në Gjermani, në luftë me logjistikë për komandantin Legjendar Adem Jashari, babushin Hamezën dhe UÇK-në në përgjithësi.
Ai ishte njeriu që më qëndroi mua afër në momentet më të vështira kur morëm lajmin për rënien heroike të familjes.
Sot e asaj dite ende nuk kam takuar njeri më të fortë se mixha i cili për asnjë moment nuk u dorëzua dhe nuk arriti ta mund mërzia, përkundrazi ishte shumë krenar me vëllezërit, babën Shaban, nipat dhe të gjithë familjen që ranë në betejën e 5,6 dhe 7 marsit 1998.
Mixha Rifat sot është shumë i lumtur që familja jonë po ripërtërihet, shtëpia e babës Shaban po mbushet me nipa e stërnipa, që të gjithë duke u rritur nën frymën e heroizmit të familjes dhe duke kontribuar në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit tonë, të ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve e martirëve të lirisë.
Urime ditëlindjen mixhë i dashur, të uroj edhe shumë vite tjera të lumtura bashkë me ne dhe nipat e stërnipat që aq shumë i do.
Do të vazhdojmë të ndjekim rrugën tënde të ndershme e në shërbim të vendit!
Baba Shaban, komandanti Legjendar, Adem Jashari e babushi Hamëza pushojnë të qetë ngase ti ua përmbushe me sukses amanetin e tyre për familjen dhe fëmijët që t’i kishin lënë amanet.
Të paçim gjatë i dashur mixhë!