“BACA SYLEJMON” ME VLERA NJERËZORE FISNIKËSH
Shkruan: Major Asllan Osmanaj, gazetar i luftës së fundit në Kosovë
Paraprakisht, strategjikisht që në pranverën e 1998, ishte caktuar se porta e parë hyrëse e të dëbuarve të Kosovës ishte Tropoja, pastaj Hasi dhe e treta Kukësi. Parashikimin e vërtetoi fundi i majit, fillimi i qershorit e në vazhdimësi. Kur isha në garnizonin e Tropojës, më rastiste që brenda 24 orësh, në vende të ndryshme, të takohesha disa herë me një person, që të ardhurit e thërrisnin: “Baca Sylejmon”.
Një njeri i shkathët, i komunikueshëm dhe që gjithkujt i jepte zgjidhjen e duhur. Të dëbuarit hynin që nga Qafa e Dobërdolit duke kaluar bjeshkët e Junikut e të Tropojës për të zbritur nga Ara e Osës, Padeshi, fshatrat e Shipshanit, Kasaj, Kamenicë, Qafa e Pëllumbit, Bytyçi e që grumbulloheshin në qytetin e “Bajram Currit”. Dhe “Bacën Sylejmon” e kam takuar në pikat hyrëse, në komunat kufitare, në qendrat grumbulluese të qytetit dhe në oborret e çdo pallati ditën e natën. Në komunikim të vazhduar me funksionarët vendorë e qendrorë, me MCR-në, OSBE-në, UNCHR-në dhe gjithë organizatat ndihmuese nga shumë vende. Më bënte përshtypje se “statistikën” e kishte në kokë. Shpjegonte deri në hollësi, saktësisht për gjendjen komplekse të të ardhurve.
KUSH ISHTE KY “BACA SYLEJMON”?!
Relievi kodrinor dhe bjeshkor, bashkë me shtëpitë e kullat e Junikut kanë harmonizuar virtyte ndiesish simbolike; si besnikëri, trimëri, bujari, urti e qëndrueshmëri. Një nga kullat e ngurta e tillë është kulla e Mon Pepshit në Junik, ku lindi më 1 tetor 1942, Sylejmon Pepshi. Më këto tradita u edukua gjithë jetës. Ajo kullë ka pritur e përcjellë njerëz me vlera. E cila u bë bazë që me fillimet e UÇK-së. Sylejmoni i dhuroi Luftës kamionin, traktorin dhe çfarë kishte që iu nevojitej. Me rënien e Junikut, Sylejmonit iu besua udhëheqja e karvanëve nëpër bjeshkë e shtigje malesh për në Tropojë dhe të organizonte bashkërendimin e të ardhurve me strukturat vendore tropojanë, në shërbim të tyre në vazhdimësi deri në çlirimin e Kosovës.
MISIONARI SYLEJMON PEPSHI NË TROPOJË
Sylejmon Pepshi në Tropojë ishte shtylla kryesore organizuese e bashkërenduese për mijëra të ardhur për gjithë veprimtarinë e tyre.
Konkretisht disa nga vlerat e tij;
– Të ardhurit nga hHBA-ja, Evropa që donin të luftonin për çlirimin e Kosovës i drejtonte e i shoqëronte nëpër bazat ushtarake në Tropojë.
– Organizonte pritjen, ushqyerjen, sistemimin e popullsisë së ardhur nëpër shtëpitë tropjane, institucionet vendore dhe në bazën e MCR-së në Mollë të Kuqe e në ish-repartet ushtarake.
– Bënte përcjelljet njerëzore në vendet në brendësi të Shqipërisë.
– Shoqëronte të sëmurët e të plagosurit që vinin nga fronti në spitalin e përbashkët civilo-ushtarak të Tropojës dhe sipas problematikave shëndetësore ndihmonte në përcjelljen me helikopter për në Tiranë.
– Bashkëpunonte me mediat vendore e të ardhura e nëpërmjet njerëzve ndihmonte për dhurim gjaku për nevojtarët e ardhur.
– Ndihmëtar për shpërndarjen e ndihmave ushqimore e materialeve jetësore.
– Veprimtar dinamik për ceremonialet mortore, varrosjes së luftëtarëve të UÇK-së dhe për çdo kosovar që humbte jetën, ka hapur dyert mortore sipas riteve të duhura.
Sylejmon Pepshi në bazë të aftësive dhe karakterit fitoi një popullaritet, saqë ndërhyrja e tij e pjekur ka zbutur e zgjidhur edhe ndonjë gjendje acaruese.
Kur shkoja në Has, Kukës apo rajone të pa cekura dhe më duhej përditësimi i gjendjes në Tropojë, “Baca” ishte një nga burimet e sakta si për numrin e të ardhurve, adresat e çdo gjë tjetër, sepse i ndiqte në vazhdimësi.
Në sintezë S. Pepshi ishte një Salli Bekeri (Sally Becker) junikas në Tropojë për hallet e ndryshme të fëmijëve, grave, pleqve, të shkëputurve nga trungu familjar, të sëmurave, të plagosurve, kufomave të luftëtarëve, të të vdekurve e shumëçka.
VLERËSIMET NDERUESE
Një pleqnar vendas veçonte: “Kur të nderon me zemër e shpirt Tropoja do të thotë, se ai person ka shumë vlera”! Vërtetë Sylejmoni ka merituar nderimet e Tropojës e më gjerë. Pas përfundimit të Luftës, Këshilli Bashkiak “Bajram Curri” e falënderon S. Pepshin për të vijuar me mirënjohje dhe tituj të ndryshëm, si nga autoriteti dhe llojshmëria; Organizata e Dëshmorëve të Atdheut, Unioni Artistik i Kombit Shqiptar dhe “Misionar i Kombit”, Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANC-it dhe “Nderi i Organizatës”, Drejtoria e Spitalit B.Curri, Shoqata Letrare Kulturore “Xheladin Gosturani” e tjera. Sylejmon Pepshi është certifikuar “Veteran Luftëtar” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këshilli bashkiak i qytetit i jep titullin “Qytetar Nderi” i Bashkisë Bajram Currit”. Në ceremoninë e organizuar me fillim në komunën e Junikut, e më pas në Potok, nga Bashkia e Komuna e Junikut, “Baca Sylejmon” mes të tjerave theksoi: “Zoti deshi që unë e bashkëshortja ime të mos kemi fëmijë. Bashkëshortja, një plakë e nderuar që u shurdhua nga pasojat e Luftës. Por, sot Tropoja na bëri; me djalë, vajzë, nipa e mbesa. Jam borxhli i përjetshëm i Tropojës”!
Sylejmoni si njohës i aftë i vlerave zakonore të Tropojës edhe pas misionit të tij fisnik, për çdo rast fatkeqësie është i pranishëm në çdo familje tropojane.