BACA ZEQË NJË JETË PËR ATDHE

07 shtator 2018 | 11:07

-Mbresa nga takimi me poetin e atdhetarin Zeqir Gërvalla

Izet ABDYLI

Së bashku me bashkëvendësin tim Gani Ademi vizituam në Fushë Kosovë Zeqir Gërvallen – poetin, atdhetarin e bashkëveprimtarin më të ngushtë të poetit Fazli Greiqevci i cili këto ditë erdhi nga Amerika largët e po qëndron në Kosovë.

Pasi na pret me përzemërsi së bashku me gruan e tij Hanen, pavarësisht moshës e vuajtjeve që i kanë shkaktuar valët e jetës ai flet me dashuri për atdheun e tij, për lirinë e për bashkëveprimtarët e tij të çështjes kombëtare. Kur i dhuruam kompletin e veprave të poetit Fazli Greiçevcit të cilin UDB-a jugosllave e mbyti në burgun e Prishtinës me 1964 me tortura, atij nga gëzimi një dritë si nur i përshkoi fytyrën dhe filloj të shprush nga kujtesa kohën e aktiviteteve për lirinë e Kosovës sè bashku me Fazliun dhe shokët tjerë.

Ai filloi të flasë me admirim për figurën e Fazli Greiçevcit duke theksuar se ai ishte një frymëzues i yni dhe përkundër torturave të UDB-së, ai asnjëherë nuk e ka çel gojën për të treguar shokët. Fazliu ka vdesë pa e thënë fjalën e vërtetë për shokët. Ai kishte një karakter të forte burri. Më së shumti më ka dashur mua dhe asnjë fjalë nuk e ka fol për mua. Në burg kam dëgjua për vdekjen e tij edhe pse ne që ishim brenda burgut nuk dinim se ai ishte i burgosur, ngase ne mendonim dhe shpresonim që atë ende nuk e kanë e arrest UDBA.. Pas lajmit për vdekjen e tij në burg e kam shkruar poezinë “Lotët në sy” (botuar më vonë të përmbledhja “lulëzimi i rrënjës”.

Ndonëse i lodhur nga vuajtjet edhe vrasja enigmatike e të birit Jehon Gërvalla në Amerikë, baca Zeqë ende gjen forcë për të bashkëbiseduar qoftë për jetën e tij por edhe miqtë e shokët të cilët pavarësisht presioneve e survejimeve të pushtetit të atëhershëm ishin solidar dhe i dhanë mbështetje. Edhe kur atij i krijuan mundësinë të punonte në ndonjë shkollë siç ishte fjala në Shkollën fillore “Rilindja” në Dobrashec (punoi një gjysëmvjetor), ku ai i nënshtrohej survejimit nga UDB-a, me qëllim që të mbronte shokët detyrohej të lëshoj punën. Në kujtimet e tij janë të paharruara ditët e kaluara në punë në gazetën “Bota e Re” ku frekuentonin shumë studentë të cilëve u fliste me pasion për atdhetarizmin duke u shëndrruar në një burim frymëzimi për gjeneratën time.

Vargjet e tija që botoheshin në “Botën e Re” e gazeta e revista tjera ishin me plotë pasion e ndjenja atdhedashurie. Për arsye të mohimit të të drejtës së botimit ai tregon se si kishte përdor një serë pseudonimesh si: Lalush Shijaku, Zeqir Gurraj, Zegeli, Flakron Gurari, Hana Malësori, etj. Ai flet me respekt e admirim. për kolegët e punës, në Boten e Re të cilët thotë: shumë i kam dashur pothuaj si vëllezër dhe ata më janë gjendur në kohë të vështira shpesh duke rrezikuar edhe për mua. Ka pasur prej tyre që shume e kane ditë për mua e disa jo.

Ai nuk e fsheh se qëndrimet e tija i ka shprehur hapur para njerëzve që ka pasur besim. Ai me tërë qenien e tij bëri një jetë për atdhe. Përkushtimi tij dëshmohet edhe sot kur më tha: Unë kuptoj gjithçka, kuptoj çka nuk kuptohet. Ky njeri është një thesar i vërtet, në tërë jetën e tij ka rrezatuar dashuri, sinqeritet e vendosmëri për t’i përballuar sfidat e jetës. Këtë ndjesi ma dha edhe në këtë takim. Urojmë që shëndeti tij të përmirësohet ngase ai ka edhe shumëçka për të rrëfye për gjeneratën e tij. Respekti tij për njerëzit u pa edhe në mbarim të vizitës sonë kur me mundim u ngritë në këmbë të na përshëndes duke mos dashur ta bëjë këtë ulur. Respekt pa fund për Bacën Zeqë njeriun idealist që e patëm burim frymëzimi si gjeneratë e viteve ‘80-ta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
-Mbresa nga takimi me poetin e atdhetarin Zeqir Gërvalla Izet…