Bacë Enveri jep urdhër
Nga Kastriot Dervishi
Zyhdi Avdi Shahini, i vitlindjes 1930, nga Novosela e Strugës, pat ardhur në vitin 1943 në Tiranë te daja i vet. Duke qenë me shtetësi jugosllavi, kërkoi riatdhesimin duke bërë dy letra. Në vitin 1958 e internuan në Tërbuf.
Letrës së parë ku ankohej për trajtimin që i bëhej, nuk i kthyen përgjigje. Shpresoi se “bacë Enveri” do vinte dorën në zemër dhe do i vinte keq për të që ishte i sëmurë e që me katër zanate punonte në baltërat e Tërbufit. Këto ia shkroi në letër. Kërkonte vetëm vizën e kalimit kufitar se mund të pësonte “disfatë shëndetësore” e të vdiste “në atë shkretëtirë”.
“Baca” la shënimin: “Të vërtetohet veprimtaria kundër pushtetit dhe t’i çohet gjyqit”.
Nuk ekzistonte asnjë veprimtari se fundja çfarë mund të bënte edhe sikur të donte në baltën e Tërbufit.
U arrestua më 26 dhjetor 1959. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë. Gjykata e Qarkut Vlorë, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me tetë vjet heqje lirie. Porosia e “bacë Enverit” u zbatua.