BACI YNË
Nazmi Viqa
Të nderuara personalitete të kombit,
Të nderuara familje të dëshmorëve, shokë e miq të Bacit e të familjes tonë.
Sot është ditë e veçantë për familjen tonë sepse, po bëhen 10 vite që kur vëllau ynë i madh Baci i mbylli sytë përgjithmonë.
Na e mori vdekja atëherë kur i pushuan të gjitha obligimet që ia kishte vënë vetës, sepse të gjitha i kishte realizuar me përjashtim të bashkimit kombëtar që i mbeti ëndërr dhe këtë më së miri e dëshmon thënia e Tij e famshme!
Vdekja e parakoshme ia ndali hapin e madh qe e hidhte baci ynë, të cilin ne bashkë me juve shokë e miq, personalitete të shtetit të Shqiperisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës e viseve tjera shqiptare, e nderojmë me kaqshumë respekt.
Baci ynë ishte parimor e largëpamës, për hirë të idealeve e dashurisë së madhe ndaj Atdheut që kishte, përballonte edhe padrejtësi kur i bëheshin, e edhe atëherë kur cenohej e drejta jonë e përbashkët dhe legjitime familjare.
Baci ynë ishte familjar i madh, ishte baba e vëlla, xhaxh e i afërt i mrekullueshëm, ishte paqësor e i embël me miq e shokë, por ishte i rrept dhe i pakompromis me ata që ia donin të keqen familjes dhe fisit tonë, sikur edhe popullit e kombit.
Faleminderit që keni ardhur e na keni nderuar me pjesmarrjen tuaj në nderimin për Bacin, i cili sa më shumë që po kalon koha, po na del gjithnjë e më i lavdishëm, gjithnjë e më i madhrishëm.
Jeta dhe vepra e vëllaut tonë ishte luftë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia pushtuese, për çlirimin e Luginës së Preshevës dhe për të drejta e barazi të popullit shqiptar në Maqedoni.
Jeta e Bacit ishte perpjekje e pandalshme për zhvillim e përparim të gjithanshëm të kombit tonë e shoqërisë njerëzore në përgjithësi.
Shpallja Hero i Kosoves, nga presidenti i Thaçi, është kurora e tërë përpjekjeve dhe luftës në shërbim të popullit dhe Atdheut që e ka bërë Baci ynë.
Lavdi të gjithë atyre që derdhen gjak e bënë luftë për lirinë e vendit tonë, respekt për të gjithë ata që punuan dhe po punojnë për zhvillimin dhe forcimin e shtetit tonë.
Faleminderit.
Prishtinë,
10 prill 2019
(Ky fjalim është mbajtur në akademinë përkujtimore kushtuar veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare, Shaban Viqa-Baci, me rastin e dhjetëvjetorit të ndarjes së tij nga jeta)