Baerbock: Putini do të mbahet përgjegjës për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të mbahet përgjegjës për luftën në Ukrainë dhe për pasojat globale që i ka shkaktuar ajo.
“Nëse Putini mendon se pas dy vjetëve bota do të harrojë se kush është përgjegjës për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj globale, e ka shumë gabim”, ka thënë Baerbock të martën në mbrëmje para se të nisej për takimin e ministrave të Jashtëm të G20-ës në Brazil.
“Ne nuk do të heqim dorë nga parimet themelore të Kombeve të Bashkuara dhe do ta mbështesim fuqishëm Ukrainën, sa të jetë e nevojshme dhe derisa populli i saj mund të jetojë në paqe dhe në liri përsëri”, ka theksuar ajo.
Rusia e ka nisur pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ukraina, lufta në Rripin e Gazës dhe kërcënimi i zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme pritet të luajnë rol të rëndësishëm gjatë takimit të G20-ës.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pritet të marrë pjesë në takim në Rio de Zhaniero.
“Me humanizmin dhe përkushtimin tonë ndaj ligjit ndërkombëtar, ne i luftojmë kundër pamëshirëshmërisë së aktorëve, siç është qeveria ruse”, ka thënë kryediplomatja gjermane.
E tërë bota do të përfitojë “nëse të gjithë ne u përmbahemi rregullave për të cilat jemi pajtuar së bashku”, ka thënë ajo.
G20 është themeluar me besimin e “zgjidhjet e përbashkëta janë të mundura nëse ne qëndrojmë pranë njëri-tjetrit dhe i bashkojmë forcat”, ka nënvizuar Baerbock.