Bagnaia: Unë do të jem pasardhësi i Rossit në MotoGP
Piloti i ri italian Francesco Bagnaia, fitues i garës së fundit të këtij sezoni në MotoGP me Ducati, e mbylli renditjen përfundimtare në vendin e dytë.
I ardhur nga akademia VR46, piloti 24-vjeçar shpreson që vitin tjetër të shpallet kampion bote, duke qenë edhe pasuesi i mësuesit të tij, legjendës Valentino Rossi.
“Kjo fitore e fundit e këtij sezoni është për Rossi. Ai është një legjendë dhe e falënderoj që pati besim tek unë në fillimet e karrierës sime. Unë shpresoj t’ia shpërblej me një titull në MotoGP. Për mua do të ishte një ndër ta pasoja aventurën e tij dhe shpresoj të jem pasardhësi i tij”, ka thënë Bagnaia. Për Bagnaian, ky ishte sezoni i tretë në MotoGP, i pari me Ducati zyrtar, ku korri katër fitore. Gjithsesi, motori italian u shpall kampion për konstruktorë. “Uroj që vitin tjetër të festojmë si Ducati ashtu edhe unë”, tha Bagnaia, që në kategoritë më të ulët ka garuar me Racing Team VR46, ekipi i Valentino Rossi, me të cilin u shpall kampion bote në Moto2.