Bahtiri akuzon BE-në: Hapjen e Urës së Ibrit e duan të gjithë qytetarët
Ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri ka thënë se qëndrimi i Bashkimit Evropian kundër hapjes së Urës së Ibrit është i padrejtë dhe i çuditshëm.
Ai ka kujtuar se për këtë çështje kishte edhe marrëveshje në Bruksel dhe tani thotë se qëndrimi i tyre për të ka qenë shumë i rëndë.
Bahtiri në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1 ka thënë se hapja e urës nuk do të paraqesë problem dhe se atë e dëshirojnë të gjithë qytetarët.
“Gjitha sinjalet na qojnë se nuk krijohet asnjë problem nëse hapet ura. S’do të ketë incidente dhe hapjen e kërkojnë gjithë qytetarët edhe serbët dhe kombësitë tjera por edhe shqiptarët. Këmbëngulja e BE-së, padrejtësisht, çuditërisht për moslejimin e hapjes së urës më ka ardhë jashtëzakonisht rëndë. Qëndrimi i tyre aktualisht më bëri përshtypje të keqe, nuk e kam prit”, ka thënë Bahtiri.
BE por edhe ShBA janë shprehur kundër hapjes së Urës së Ibrit pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës për një gjë të tillë.
Për këtë ka reaguar edhe KFOR-i duke thënë se ura duhet të hapet me marrëveshje në dialog.