Bahtiri denoncon shantazhet dhe sulmet në Mitrovicë, ka një paralajmërim
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se disa individë dhe kompani që veprojnë në Mitrovicë po bëjnë një ofensivë kundër tij, duke e ‘implikuar’ atë dhe komunën në uzurpime dhe shkelje të ligjit.
Sipas të parit të Mitrovicës, këta individë kanë shkelur ligjin dhe rregulloret e vendimet komunale, për interesa të ngushta personale, por se gjithë këto veprime i kanë bërë të duken sikurse janë me leje të komunës.
Bahtiri ka thënë se këta individ po synojnë që ta kthejnë komunën në anarki dhe kaos.
“Fatkeqësisht, ditëve të fundit, individë të pandërgjegjshëm dhe disa kompani të pa papërgjegjshme në Komunën tonë kanë ndërmarrë një ofensivë, që duket si e orkestruar dhe me dijeni të zyrtarëve të nivelit qendror për të shkelur ligjin dhe rregulloret e vendimet komunale, për interesa të tyre të ngushta personale dhe klanore, gjë që do ta rikthente në qytetin tonë anarkinë dhe kaosin që ekzistonte vite më parë. Veprimet e tilla manifestohen me uzurpime dhe keqpërdorime të pronës publike, ndërtime pa leje dhe punë ilegale të fabrikave që seriozisht po e dëmtojnë ambientin dhe shëndetin e qytetarëve tonë, të cilat po shoqërohen me kërcënime dhe sulme fizike ndaj zyrtarëve komunal që po marrin masa ligjore për të mos lejuar këto aktivitete ilegale”, ka shkruar Bahtiri në profilin e vet në “Facebook”.
Bahtiri madje ka përmendur edhe shantazhe dhe sulme nga këta persona.
“Ju bëj me dije të gjithë këtyre keqbërësve se asnjë kërcënim, sulm apo shantazh, nuk do të na frikësoj dhe nuk do të na zmbraps nga përkushtimi i jonë për të zbatuar ligjin, sepse vetëm kështu Mitrovicën mund ta bëjmë qytet të dinjitetshëm dhe evropian, të stabilizuar në aspektin politik e të sigurisë dhe të zhvilluar ekonomikisht, me të cilin mund të jemi pafundësisht krenarë”, ka shkruar ai.