Bahtiri e njofton shefin e OSBE-së me situatën e përgjithshme në Mitrovicë
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, ka pritur të mërkurën në takim shefin e ri të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Michael Davenport, me të cilin kanë biseduar lidhur me bashkëpunimin dhe kontributin e deritanishëm që misioni i OSBE-së ka ofruar për Komunën e Mitrovicës.
Fillimisht kryetari Bahtiri i ka shprehur mirëseardhje Davenport dhe e ka uruar me rastin e marrjes së detyrës së re të shefit të misionit të OSBE-së për Kosovë, duke thënë se Komuna e Mitrovicës është mirënjohëse ndaj OSBE-së, të cilët në vazhdimësi kanë ofruar ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme në drejtim të mbrojtjes, promovimit dhe përmirësimit të respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë.
Bahtiri ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim edhe me shefin e ri të OSBE-së për Kosovë me qëllim të realizimit të projekteve të përbashkëta.
Ai e ka njoftuar Davenport për situatën politike dhe zhvillimet aktuale në Mitrovicë dhe vend.
Ndërsa shefi i misionit të OSBE-së për Kosovë, Michael Davenport, ka falënderuar kryetarin Bahtiri për realizimin e këtij takimi, duke thënë se ky takim do të shërbejë si vazhdimësi e përpjekjeve, në kontekst të ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta për të mirën e qytetarëve të vendit dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.