Bahtiri e Tahiri pajtohen për asfaltimin e rrugës Pirq-Oshlan
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në një takim homologun nga Vushtrria, Xhafer Tahiri.
Të dy kryetarët kanë vlerësuar si të mirë gjendjen e përgjithshme në komunat e tyre, si dhe kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin e ndërsjellët për të mirën e qytetarëve të komunës së Mitrovicës dhe asaj të Vushtrrisë.
Bahtiri e ka informuar Tahirin me punën që po bëhet në rregullimin e hapësirës përreth lumit Ibër dhe për projektet që janë në zhvillim si; ndërtimi i pishinave olimpike, të hapura dhe të mbyllura, ndërtimi i terreneve sportive, parku botanik etj.
“Kjo hapësirë përgjatë lumit Ibër do t’ia shtojë hijeshinë qytetit, mbi të gjitha do të jetë një hapësirë shumë mirë e rregulluar e cila do të shfrytëzohet për pushim e rekreacion nga ana e qytetarëve të Mitrovicës”, ka thënë Bahtiri.
Në këtë takim, Bahtiri e Tahiri kanë folur edhe për intensifikimin e bashkëpunimit për disa projekte konkrete me interes të përbashkët.
Ata janë pajtuar që të realizohet projekti për asfaltimin e rrugës që lidh fshatin Pirq të komunës së Mitrovicës në fshatin Oshlan të komunës së Vushtrrisë, projekt ky i cili parashihet të kushtojë rreth 200 mijë euro.
/Epoka e re/