Bahtiri e Tahiri vlerësojnë si të nevojshëm projektin “Trajtimi i ujërave të zeza”
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur të martën në takim kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, me të cilin ka biseduar lidhur me projektin e impiantit “Trajtimi i ujërave të zeza”, në mënyrë që në këtë projekt të përfshihet edhe Vushtrria.
Gjatë këtij takimi të dy kryetarët janë dakorduar që t’i drejtohen Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik përmes një kërkese për përfshirjen e Komunës së Vushtrrisë në projektin “Trajtimi i ujërave të zeza”.
Me këtë rast, kryetari Bahtiri ka falënderuar Tahirin për gatishmërinë e treguar për realizimin e këtij projekti, duke thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Komunën e Mitrovicës por edhe atë të Vushtrrisë.
Bahtiri ka thënë qëllimi i projekti “Trajtimi i ujërave të zeza” është që të përmirësojë ndjeshëm mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të zeza në qytetin e Mitrovicës dhe atë të Vushtrrisë.
Sipas tij, një gjë e tillë do të kontribuojë në mbrojtjen e burimeve sipërfaqësore dhe të ujërave nëntokësore në zonën e projektit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së popullsisë.
Ndërsa kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka ofruar mbështetjen e tij të plotë për realizimin e këtij projekti.
Pastaj këtij takimi, Bahtiri e Tahiri kanë vizituar Kompaninë Regjionale të Mbeturinave ‘Uniteti Sh.A’ në Mitrovicë, me ç’rast janë pritur nga kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Gazmend Morina. Gjatë këtij takimi është diskutuar për vështirësitë e kompanisë publike, si dhe borxhin që ka trashëguar menaxhmenti i ri nga ai paraprak.
/Epoka e re/