Bahtiri: Fatmirësisht sot nuk kemi asnjë rast të ri me Covid-19
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se fatmirësisht asnjë rast nuk është konfirmuar sot në ketë qytet. Bahtiri theksoi se janë 19 raste aktive nga 260 testime sa janë bërë.
“Fatmirësisht sot nuk kemi asnjë rast të ri me COVID-19 në Mitrovicë, përderisa momentalisht janë 19 raste aktive që kanë rezultuar pozitiv në ditët paraprake nga 260 testime sa janë bërë gjithsej”, ka shkruar Bahtiri në profilin e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Bahtirit:
Fatmirësisht sot nuk kemi asnjë rast të ri me COVID-19 në Mitrovicë, përderisa momentalisht janë 19 raste aktive që kanë rezultuar pozitiv në ditët paraprake nga 260 testime sa janë bërë gjithsej.
Të gjithë të infektuarit janë në gjendje stabile shëndetësore, prej të cilëve dy persona janë të shtrirë në spital, ndërsa pjesa tjetër gjenden në vetizolim në shtëpitë e tyre. Presim që së shpejti shumica e rasteve që janë pozitiv të ri-testohen dhe shpresojmë që të dalin negativ.
Komuna e Mitrovicës përmes Drejtorisë për Shëndetësi dhe Shtabit Emergjent komunal ka qenë dhe vazhdon të jetë në krye të detyrës 24 orë, në mënyrë që t’i zbatoj të gjitha obligimet e veta për zbatimin e masave mbrojtëse në terren për pengimin e përhapjes së koronavirusit COVID-19.
Falënderoj qytetarët e Mitrovicës për nivelin e lartë të kujdesit të treguar, po ashtu faleminderim të posaçëm për mantelbardhët dhe policinë të cilët po japin gjithçka nga vetja e tyre për t’iu shërbyer qytetarëve në këtë situatë të emergjencës shëndetësore.
Kur gjendemi në prag të marrjes së masave lehtësuese nga institucionet qendrore, ju lus që të jeni shumë të vëmendshëm në mbajtjen e distancës sociale me rastin e daljeve të domosdoshme, por që më së miri do të ishte të qëndroni në shtëpi edhe për pak ditë sa kanë mbetur.
Në vazhdimësi jemi në kontakt me Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik, duke hulumtuar dhe gjurmuar ende për kontaktet eventuale të të infektuarve. Qëndroni në shtëpi dhe mbajeni distancën sociale, sepse së shpejti do t’ia dalim edhe kësaj sfide globale.
AB
(V.Z / Epoka e re)