Bahtiri i reagon Veselit për vizitën në Mitrovicë
Kryetari i Komunës së Mitrovicës dhe zëvendëspresidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Agim Bahtiri, ka reaguar ndaj vizitës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe deklaratës se tij se Kosova nuk ka veri dhe jug por është një.
Bahtiri nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook” ka shkruar Veseli ka bërë që Mitrovica të ndahet në veri dhe jug.
“Kadri Veseli paska dalë këndej pari nga Mitrovica në Stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari’, në vend se të shikojë emrin e ndritur të komandantit dhe të frymëzohet për të bërë vepra të mira dhe të largohet nga injoranca, ky paska zgjedhur të tregohet injorant përsëri. Dua t’i them kryetarit të Kuvendit se jug dhe veri nuk ka pasur Mitrovica, por ju e bëtë të jetë e tillë. Këtë e them sepse sot paskeni deklaruar që Kosova nuk ka veri dhe jug, ajo është një”, ka shkruar Bahtiri.
Ai ka thënë se mitrovicasit ndihen shumë mirë që nga koha kur PDK-ja nuk qeverisë me Mitrovicën. “Ju paskeni dalë në qytetin tuaj, aty ku je lindur e je rritur, e më mbeti merak t’ju takojë për t’ju treguar se qytetarët e Mitrovicës ndihen shumë mirë që nga viti 2013 kur ju ikët nga komuna si Parti Demokratike dhe kjo ishte gjëja më e shtrenjtë që ia dhuruat Mitrovicës, andaj ju falënderoj në emër të qytetarëve për këtë mirësi”, ka shkruar Bahtiri, partia e të cilit është në koalicion qeverisës me PDK-në.
/Epoka e re/