Bahtiri ia dorëzon Veselit peticionin për bashkimin e Mitrovicës
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, peticionin për bashkimin e Mitrovicës.
Me këtë rast, Bahtiri, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës ta bashkojnë Mitrovicën dhe ta bëjnë me një kryetar pa dalim etnie.
“Ju e dini kryetar se 15 mijë banorë të shpërngulur nga pjesa e veriut shqiptar ende jetojnë në mëshirën e padrejtësisë që iu ka bërë dhe jetojnë në pjesën e jugut si refugjatë në qytetin e vet”, ka thënë Bahtiri.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se Mitrovica do të mbetet për jetë e Kosovës.
“Është një peticion që do të trajtohet në Kuvendin e Kosovës në bazë të procedurave që kemi. Kemi shumë njerëz të cilët e kërkojnë të mbrohen të drejtat e tyre nga ne. Ne do të punojmë bashkërisht. Nuk do të ketë acarim-eskalim të situatës. Mitrovica është qyteti i mitrovicasve, peticioni do të trajtohet në mënyrën shumë serioze do të shkoj në komisionin përkatës parlamentar dhe do të kemi momentin e vendimmarrjes. Mitrovica është e mitrovicasve dhe Mitrovica do të jetë përjetë e Kosovës”, ka thënë Veseli.
Peticionin për bashkimin e Mitrovicës e kanë nënshkruar mbi 16 mijë qytetarë nga dy komunitetet, shqiptarë dhe serb.